Avaria në tunelin e parë, Trepça jep detaje – procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë

Nacionale

Trepça ka dhënë sot informacione shtesë lidhur me avarinë që ka ndodhur në Trafon Tuneli, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit. Në njoftim thuhet se procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë. Duke […]

Madhësia e shkronjave

Trepça ka dhënë sot informacione shtesë lidhur me avarinë që ka ndodhur në Trafon Tuneli, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.

Në njoftim thuhet se procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë.

Duke njoftuar për daljen në sipërfaqe të minatorëve, Trepça njofton se 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërkaq 9 minatorët e mbetur kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Lexoni të plotë njoftimin e Trepçës për avarinë në Trafon Tuneli i Parë:

Më datë 07.10.2026 në orën 19:30, ka ndodhur një avari në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.

Në momentin e avarisë, në minierë kanë qenë gjithsej 63 minatorë, të cilët ishin në ndërrimin e dytë dhe ishte planifikuar ta përfundonin ndërrimin në orën 23:00.

Pas ndërprerjes së energjisë elektrike:

– 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente;

– 9 minatorët e mbetur kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50.

Pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë.

Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.

Ekipet teknike janë duke punuar në sanimin e avarisë, përfshirë kontrollimin dhe zëvendësimin e pesë (5) siguresave mbrojtëse 6.3 kV, si dhe të elementeve të tjera përkatëse të instalimit elektrik.

Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok.

Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit.

Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet. Për zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e sanimit të avarisë do të njoftoheni me kohë. /Telegrafi/