Trajneri i Dukagjinit, Arsim Thaqi, ka pranuar epërsinë e Luganos pas humbjes së thellë 5:1, rezultat që i dha fund aventurës së skuadrës kosovare në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Pas ndeshjes së zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Thaqi theksoi se Lugano ishte kundërshtari më i fortë që mund t’i kishte rënë ekipit të tij.
“Lugano është një prej ekipeve më të forta që kemi mundur ta kemi përballë. I ka tre reprezentues në përbërje, dy prej tyre të Zvicrës. Golat që i morëm në fillim na kushtuan në vazhdim”.
Ai shtoi se dy golat e hershëm e vështirësuan shumë rikthimin në lojë, ndërsa përmendi edhe ndryshimet e shumta në përbërjen e ekipit gjatë verës.
“Nuk ishte e lehtë të rikuperohemi pas golave të fillimit. Na janë larguar pesë lojtarë cilësorë. Lojtarët e rinj që kanë ardhur kanë potencial, por u duhet kohë”.
Në fund, tekniku i Dukagjinit vlerësoi diferencën e madhe në cilësi dhe ritëm mes dy skuadrave.
“Kishim përballë një skuadër me vlerë 40 milionë dhe nuk ishte e lehtë. Lugano ka diktuar tempon e lojës. Lugano është duke zhvilluar ndeshje në kampionat, ndërsa ne kemi startuar me ndeshje evropiane. Dëshira ishte, por nganjëherë mundësitë janë këto”, përfundoi Thaqi./Telegrafi/






