Arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal, IKSHPK njofton për grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet

Nacionale

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare. Në njoftim thuhet se vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe […]

Madhësia e shkronjave

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në njoftim thuhet se vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë e tyre.

“Për informata të detajuara rreth fillimit të vaksinimit, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre”, thuhet në njoftim.

MSH dhe IKShPK u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht personave që u përkasin grupeve me rrezik të lartë.

Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet janë:

•Personat mbi 65 vjeç;

•Personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ato që dobësojnë sistemin imunitar;

•Gratë shtatzëna;

•Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore;

•Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë;

•Profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.

Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen.

Vaksinimi është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal dhe për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital. /Telegrafi/

Komentet