Leonida Molliqaj nga organizata joqeveritare “QIKA” ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar drejtësisë, por fatkeqësisht jo Qeverisë, duke shtuar se ndoshta do të kishte pasur angazhim po t’i drejtohej asaj.
E ftuar në Debat Plus në TV Dukagjini, Molliqaj ka vënë në pikëpyetje deklaratën e Gërvallës, duke kërkuar sqarim se si një qytetare duhet t’i drejtohet Qeverisë për të kërkuar mbrojtje nga dhuna dhe për të shpëtuar jetën.

Ajo ka kërkuar përgjegjësi politike për deklaratën e ministres, duke thënë se në mungesë të një shpjegimi bindës, duhet të ketë dorëheqje.
“Pse duhet me shku një qytetare e Kosovës, çka nënkupton kjo? A i bie që duhet me pas marrëdhënie të afërta me ministren, a i bie që duhet me njofto zotin Kurti, a i bie me njofto dikë në ndonjë ministri të caktuar? Qysh shkon një qytetar me kërku me iu mbrojt jeta ose të shpëtojë prej vrasjes në qeveri? Nëse ka shpjegim do të kisha pas dëshirë me digju. Përndryshe vetëm dorëheqje asnjë shpjegim tjetër. Ose duhet me dal me shpjegu ose kjo është ofendim që bëhet për krejt aktivizimin në rrugë e zyre për të luftuar dhunën në baza gjinore”, ka deklaruar Molliqaj.
“Fatkeqësisht, nuk iu drejtua Qeverisë” – Gërvalla për Arlindën: Ndoshta do të kishte pasur angazhim
Derisa Natyra Kuçi, shoqe e Arlinda Zekajt, ka thënë se ajo nuk kishte hequr dorë nga shpresa se do të mund të kthehej e qetë në shtëpi te djali i saj, edhe pas përpjekjeve të vazhdueshme për të kërkuar ndihmë nga institucionet.
Duke folur në Debat Plus në TV Dukagjini, Kuçi tha se Arlinda kishte shkuar disa herë në polici dhe kishte vazhduar të besonte se gjërat do të përmirësoheshin, përfshirë edhe pas vendimit të gjykatës dhe arrestimit të bashkëshortit të saj.
“Sa herë ka shkuar ajo në polici, nuk ka hiç një mendje që… nuk ka heq dorë asnjë sekondë duke besuar, edhe ky vendim i gjykatës dhe djalin ka me marrë. Hajt se kthehet burri prej Amerikës e ma bien djalin. Linda nuk ka heq dorë. Linda nuk ka zgjedhur të sakrifikohet atë ditë, ajo ka shpresuar që pasi u arrestua burri i saj, do të shkoj e qetë në shtëpi te djali i vet. Paçka se zinxhiri institucional ka dështuar të ia liroj shtëpinë Lindës, që e ka ndërtuar me burrin e vet”, ka thënë Kuçi.