Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka inkurajuar lojtarët e tij të vazhdojnë të luajnë me liri dhe besim, teksa synojnë të sigurojnë kualifikimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës.
Anglia e di se një fitore ndaj Ganës në Boston Stadium do t’i siguronte automatikisht kalimin në fazën tjetër të turneut. Për më tepër, “Tre Luanët” do ta mbyllnin grupin L në vendin e parë nëse Kroacia nuk humbet ndaj Panamasë.
Anglezët synojnë të fitojnë dy ndeshjet e para të një Botërori për herë të katërt në histori, pas arritjeve të ngjashme në vitet 1982, 2006 dhe 2018.

Megjithëse pati disa luhatje në repartin defensiv, tekniku gjerman nuk dëshiron të ndryshojë shumë nga qasja aktuale e ekipit.
“Jam një trajner shumë i lumtur dhe shumë me fat, sepse lojtarët erdhën me këtë mentalitet. Nuk më është dashur t’ua krijoj unë këtë mënyrë të menduari, ata e kishin tashmë”.
“Tani sfida është t’i mbajmë në këtë gjendje mendore. Një dirigjent shumë i famshëm ka thënë: ‘Nuk dua ta prish muzikën dhe nuk dua t’i prish muzikantët’. Kjo është pak a shumë ajo që përpiqemi të bëjmë si staf teknik”.
“Ne nuk i pengojmë lojtarët dhe nuk e komplikojmë ndeshjen. Thjesht i inkurajojmë të luajnë me liri, veçanërisht në repartin ofensiv”.
Tuchel vlerësoi gjithashtu përkushtimin e ekipit në aspektin defensiv, duke theksuar se mbrojtja kolektive ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës.
“Është mjaft mbresëlënëse të shohësh se si të gjithë e kanë përqafuar idenë e mbrojtjes së përbashkët. Këtë e bëmë shkëlqyeshëm në pjesën e dytë kundër Kroacisë, duke ushtruar presion të lartë vazhdimisht”.
Sa i përket përballjes me Ganën, Tuchel pret një ndeshje ndryshe nga ajo ndaj Kroacisë, por theksoi se skuadra duhet të jetë e gatshme për çdo skenar.
“Ndeshja do të zhvillohet sipas rrjedhës së saj. Nuk mund të parashikojmë gjithçka që do të ndodhë. Pres një takim paksa ndryshe nga ai me Kroacinë për shkak të stilit të ndryshëm të kundërshtarit, por kush e di? Duhet të jemi gati të gjejmë përgjigje për çdo pyetje që na paraqitet”, përfundoi ai./Telegrafi/





