Ambasadori britanik takon ministrin Jagxhiu, diskutojnë digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me ministrin për Digjitalizim dhe Administratë Publike, Lulëzon Jagxhiu, me të cilin kanë diskutuar për reformat dhe digjitalizimin e shërbimeve publike në vend.
Hargreaves përmes një postimi në facebook ka bëri të ditur se kishte punuar më parë ngushtë me Jagxhiun në kohën kur ai ishte këshilltar për ICT i kryeministrit, ndërsa tani u shpreh i kënaqur që e takoi në detyrën e tij të re ministrore.
Gjatë takimit u diskutua për planet e qeverisë për reformimin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike, si dhe për vazhdimin e përpjekjeve për rekrutime të bazuara në meritë në pozitat publike, një proces që Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur prej kohësh në Kosovë. Po ashtu, u fol edhe për bashkëpunimin në forcimin e sigurisë kibernetike.
“Duke pasur parasysh bashkëpunimin tonë të mëparshëm, ishte kënaqësi ta takoj Lulëzon Jagxhiun në rolin e tij të ri si ministër për Digjitalizim dhe Administratë Publike. Diskutuam për planet ambicioze të qeverisë për reformimin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike, si dhe për bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në forcimin e sigurisë kibernetike”, ka shkruar Hargreaves.