Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka shënuar së bashku me Ambasadën e Italisë në Prishtinë Javën e 26-të të Gjuhës Italiane në Botë (#SLIM2026), përmes një aktiviteti kulturor të organizuar në Prishtinë.
Në Institutin Sekhmet u shfaq filmi “Bukë dhe tulipanë” (Pane e tulipani), me regji të regjisorit zvicerano-italian Silvio Soldini, shkruan Telegrafi.
Filmi, në të cilin luajnë aktorja Licia Maglietta dhe aktori zviceran Bruno Ganz, është një komedi e vlerësuar me çmime, e cila u ofroi të pranishmëve një mbrëmje të mbushur me humor, art kinematografik dhe shkëmbim kulturor.
Në një postim, Ambasada e Zvicrës theksoi lidhjen e veçantë të këtij shteti me gjuhën dhe kulturën italiane, duke rikujtuar se Zvicra është vend me katër gjuhë kombëtare dhe një komunitet të gjallë italishtfolës.
“Si vend me katër gjuhë kombëtare dhe një komunitet të gjallë italishtfolës, Zvicra është pjesë e botës së gjuhës dhe kulturës italiane”, thuhet në postimin e ambasadës.
Ambasada e cilësoi këtë aktivitet si një mënyrë të bukur për të festuar lidhjet ndërmjet dy vendeve dhe kulturave, duke vënë në pah rëndësinë e kinemasë si urë bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor.
Java e Gjuhës Italiane në Botë është një aktivitet që promovon gjuhën, letërsinë dhe kulturën italiane në vende të ndryshme të botës./Telegrafi/