Shumë njerëz ende besojnë se shfaqja e njollave të bardha në thonj lidhet me mungesën e kalciumit.
Megjithatë, mjekët shpjegojnë se shkaku më i shpeshtë është shumë më i padëmshëm: një dëmtim i vogël i thoit, të cilin shpesh as nuk e kujtojmë.
Njollat e bardha në thonj njihen në mjekësi si leukonikia.
Foto ilustruese
Sipas Cleveland Clinic, kjo është një dukuri e zakonshme dhe kryesisht e padëmshme.
Shkaktari më i shpeshtë është dëmtimi i thoit ose i rrënjës së tij, pra pjesës nga e cila rritet thoi.
Një goditje që mund të mos e mbani mend
Njollat e bardha mund të shfaqen pasi thoi goditet në një sipërfaqe të fortë, si pasojë e kafshimit të thonjve apo edhe nga mbathja e këpucëve shumë të ngushta.
Dëmtimi mund të ndodhë edhe gjatë manikyrit, veçanërisht kur thonjtë limohen ose lustrohen me shumë forcë.
Për këtë arsye, shumë njerëz nuk arrijnë ta kujtojnë momentin kur është dëmtuar thoi.
Thonjtë rriten ngadalë dhe mund të kalojnë deri në gjashtë javë derisa dëmtimi në rrënjë të shfaqet në formën e një njolle të bardhë. Kështu, deri në atë kohë, goditja shpesh është harruar.
A shkaktohen nga mungesa e kalciumit?
Përkundër besimit të përhapur, njollat e bardha në thonj zakonisht nuk janë shenjë e mungesës së kalciumit.
Sipas revistës BBC Science Focus, pikat e vogla dhe të parregullta të bardha zakonisht shkaktohen nga dëmtime të lehta të thoit.
Ndërsa vijat e bardha mund të shfaqen në raste të kequshqyerjes së rëndë ose nivelit të ulët të proteinave në gjak, por as këto nuk lidhen drejtpërdrejt me kalciumin.
Cleveland Clinic thekson se ende nuk ka një përfundim të qartë shkencor nëse mungesa e hekurit, kalciumit apo zinkut mund të shkaktojë njolla të bardha.
Disa specialistë e mbështesin këtë lidhje, ndërsa të tjerë nuk pajtohen.
Sidoqoftë, mungesa e disa mineraleve mund të ndikojë në shëndetin e thonjve.
Mungesa e hekurit mund të shkaktojë deformimin e tyre, duke u dhënë një formë të lugës, ndërsa mungesa e zinkut mund të lidhet me thonj të brishtë dhe shfaqjen e njollave të bardha.
Shkaqe të tjera të mundshme
Përveç dëmtimeve fizike, njollat e bardha mund të shfaqen edhe për arsye të tjera.
Ndër to përfshihen reaksionet alergjike ndaj llakut të thonjve, produkteve për forcimin e tyre, heqësit të llakut apo thonjve artificialë.
Shkaktarë të tjerë mund të jenë infeksionet kërpudhore, ekspozimi ndaj metaleve të rënda si arseniku dhe plumbi, kimioterapia, si dhe përdorimi i disa barnave, përfshirë disa antibiotikë.
Në raste më të rralla, ndryshimet në ngjyrën e thonjve mund të lidhen me sëmundje që prekin organizmin në tërësi, si diabeti, dështimi i zemrës, HIV-i, cirroza e mëlçisë apo psoriaza.
Një studim i botuar në revistën American Journal of Clinical Dermatology thekson se ndryshimet e bardha mund të shfaqen në vetë thoin, në lëkurën poshtë tij ose vetëm në sipërfaqen e thoit.
Prandaj, edhe pse zakonisht nuk janë arsye për shqetësim, në disa raste mund të sinjalizojnë një problem më serioz shëndetësor.
Sa kohë duhet që njollat të zhduken?
Nëse njollat janë shkaktuar nga një dëmtim, zakonisht nuk kërkohet trajtim i veçantë.
Ato zhduken gradualisht ndërsa thoi rritet, derisa arrijnë në majë dhe mund të priten.
Sipas Cleveland Clinic, në thonjtë e duarve ky proces mund të zgjasë nga gjashtë deri në nëntë muaj, ndërsa në thonjtë e këmbëve mund të nevojiten 12 deri në 18 muaj.
Për të parandaluar dëmtimet, rekomandohet përdorimi i dorezave gjatë punëve që mund të dëmtojnë thonjtë, zgjedhja e këpucëve të rehatshme dhe mbajtja e thonjve të shkurtër e të hidratuar.
Gjithashtu, duhet shmangur përdorimi i produkteve kimike agresive.
Kur duhet të vizitoni mjekun?
Edhe pse shumica e njollave të bardha janë të padëmshme, Cleveland Clinic këshillon konsultimin me mjekun nëse vëreni ndryshime të reja në thonj, si brishtësi, ndryshim të ngjyrës, gropëzime apo vija të theksuara.
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet rasteve kur këto ndryshime shoqërohen me simptoma të tjera, si dobësi, lodhje e vazhdueshme, shikim të turbullt, hutim apo vështirësi në frymëmarrje.
Prandaj, edhe pse një njollë e vogël e bardhë zakonisht nuk është shqetësuese, ndryshimet e vazhdueshme në thonj nuk duhen injoruar, veçanërisht kur shoqërohen me simptoma të tjera. /Telegrafi/