Fulhami ka zyrtarizuar emërimin e Alvaro Arbeloas si trajner të ri të skuadrës. Strategu spanjoll ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në krye të klubit londinez deri në verën e vitit 2029.
43-vjeçari merr drejtimin e Fulhamit pas largimit të Marco Silvas, kontrata e të cilit me klubin anglez përfundoi në fund të sezonit të kaluar.
Lëvizja vjen si pjesë e një zinxhiri interesant ndryshimesh në stolat e trajnerëve. Marco Silva ka marrë drejtimin e Benficas, duke zëvendësuar Jose Mourinhon, ndërsa ky i fundit është rikthyer te Real Madridi për të pasuar pikërisht Arbeloan.
Fulhami e mbylli sezonin e kaluar në vendin e 11-të në Ligën Premier nën drejtimin e Silvas.
Arbeloa mori drejtimin e ekipit të parë të Real Madridit në janar të vitit 2026, pas shkarkimit të Xabi Alonsos. Para kësaj, ai kishte ndërtuar karrierën si trajner në akademinë e klubit madrilen dhe ishte në krye të Real Madrid Castillas.
Gjatë periudhës së tij me ekipin e parë të Real Madridit, Arbeloa e udhëhoqi skuadrën deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, e mbylli sezonin në vendin e dytë në La Liga dhe u eliminua në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Mbretit./Telegrafi/






