E ardhmja e Evropës do të luftohet në kutitë e votimit dhe në vijën e frontit të Ukrainës. Rreziku është që, në fund, dy të fortët t’i korrin përfitimet.
Nga: Steve Bloomfield / The Guardian (titulli: The Trump-Putin alliance threatens every European country – yet gushing populists still cheer them) Përkthimi: Telegrafi.com
Në fasadën e Shtëpisë Stenbok – ndërtesës neoklasike të zyrës së kryeministrit estonez, mbi një kodër në Talin – ndodhet një pllakë që përkujton vrasjen e 10 krerëve të qeverisë. Të gjithë u vranë nga forcat sovjetike pas pushtimit të Estonisë nga BRSS-ja në vitin 1940.
Për 51 vjet, Estonia ishte e pushtuar nga fqinji i saj perandorak; gjatë 25 vjetëve të fundit ajo ka jetuar e pavarur nën hijen e tij. Për politikanët dhe zyrtarët qeveritarë që punojnë në Shtëpinë Stenbok, pllaka është kujtesë e vazhdueshme e rrezikut me të cilin përballet kombi i vogël baltik (me 1,4 milion banorë) nga një fqinj 100 herë më i madh se ai.

Jo se u është dashur ndonjë kujtesë e madhe. Gjatë dekadës së fundit, ka pasur ndërhyrje në politikën e vendit, propagandë që ka vënë në shënjestër pakicën rusishtfolëse të Estonisë dhe një mori sulmesh kibernetike dhe hibride – më i fundit prej të cilëve, të shtunën e kaluar, ishte një tentativë për sulm zjarrvënës kundër një kompanie estoneze të mbrojtjes.
“Qëllimi është të krijosh frikë në shoqërinë tonë”, më tha me telefon nga Talini, Margus Tsahkna, ministri i Jashtëm i Estonisë. E vetmja gjë që mbron pavarësinë e Estonisë, tha ai, është anëtarësimi në BE dhe – më e rëndësishmja – në NATO. “Pa anëtarësimin në NATO nuk do të mund ta bënim këtë bisedë. Estonia do të ishte 100 për qind e pushtuar”.
Shumë kohë përpara pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Vladimir Putini pohonte se ishte një akt agresioni vendimi i ish-shteteve sovjetike – ose të ish-shteteve të Paktit të Varshavës në Evropën Qendrore dhe Lindore – për të kërkuar strehë në NATO. Është pohim që shkel mbi pavarësinë e këtyre vendeve, duke ua mohuar të drejtën themelore për të vendosur vetë për rregullimet e tyre të sigurisë. Vendet që më parë janë pushtuar, okupuar ose kontrolluar nga Moska duan të mbrohen nga çdo përsëritje.
Deri vonë, argumenti i Putinit kishte pak mbështetje mes politikanëve perëndimorë të rrymës kryesore. Por, që nga kthimi i Donald Trumpit në detyrë në janar 2025, Putini ka gjetur një aleat të vlefshëm në një post të lartë. “Është miku im!”, tha Trumpi me entuziazëm, teksa përshëndeti Putinin në margjinat e samitit të APEC-ut në Shenzhen këtë javë.
Trumpi dhe Putini kanë të njëjtin këndvështrim për Evropën: një qytetërim dikur i madh i krishterë i cili e ka shkatërruar veten përmes migrimit – veçanërisht nga vendet me shumicë myslimane. Ata kanë gjithashtu bindjen e rrezikshme se fuqitë e mëdha – dhe të dy mendojnë se janë të tilla – duhet të jenë në gjendje t’i kontrollojnë oborret e veta. Për Trumpin, kjo do të thotë se hemisfera perëndimore është e tij; për Putinin, kjo do të thotë se Perëndimi nuk duhet të ndërhyjë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Samiti trepalësh në Shenzhen, së bashku me Xi Jinpingun, i kombinuar me përzemërsinë e vërtetë mes dy burrave, synonte pjesërisht ta çimentonte këtë ide.
Gjatë gjithë bisedimeve të paqes, të ndërprera dhe rifilluara – të udhëhequra nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe miku i tij i dikurshëm nga biznesi i pasurive të paluajtshme, Steve Witkoff – Putini e ka shtyrë idenë e zgjerimit të diskutimit për të përfshirë Evropën në tërësi, jo vetëm Ukrainën. Ai dëshiron që NATO-ja t’i tërheqë trupat dhe bazat e saj në kufijtë e vitit 1997, që do të thotë se 16 vende të aleancës do të mbeteshin pa mbështetje nga jashtë. Për shembull, Estonia dhe vendet e tjera baltike do të mbeteshin pa mbrojtje ajrore. Putini ka kërkuar gjithashtu që Britania dhe Franca ta përjashtojnë përdorimin e armëve të tyre bërthamore për të mbrojtur ndonjë vend tjetër evropian. Çdo marrëveshje për Ukrainën, pohon Putini, duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për Evropën.
Trumpit duket se i pëlqen ideja. Duke biseduar javën e kaluar me gazetarë në Zyrën Ovale, ai foli me entuziazëm për mundësinë e një marrëveshjeje të madhe. “Do të jetë shumë e madhe. Do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën dhe madje mund të them se mund ta përfshijë gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe, e bukur dhe të gjithë do të jenë të ngazëllyer”, tha ai. Kushdo që beson në një Evropë të lirë nuk do të jetë “i ngazëllyer”, por Trumpi nuk dëshiron një Evropë të fortë të cilën prej kohësh e ka parë si kundërshtare. Kjo përputhet gjithashtu me qëndrimin tjetër kryesor të Trumpit për Evropën: se është kontinent me parazitë të cilin ShBA-ja e ka mbrojtur në kundërshtim me interesin e vet kombëtar.
Për më shumë se një vit, Evropa në masë të madhe është përjashtuar nga bisedimet për Ukrainën. Në Abu Dabi, ku një grup këshilltarësh evropianë të sigurisë kombëtare kishin ardhur për t’u takuar në margjinat e bisedimeve, Kushneri ishte optimist për faktin se kontinenti më në fund do të kishte rol zyrtar në bisedimet e ardhshme. Por, Evropa më në fund e ka parë veten në tryezë vetëm për të zbuluar se vetë Evropa është në meny.
Aleanca Trump-Putin kërcënon të ardhmen e Evropës, jo më pak për shkak se ka disa politikanë evropianë që e mirëpresin atë. Në tre vjetët e ardhshëm, partitë e ekstremit të djathtë ose të së djathtës së fortë mund të fitojnë pushtetin – ose, së paku, t’i bashkohen koalicionit qeverisës – në katër vendet më të mëdha të Evropës Perëndimore: Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Udhëheqësit e të katër partive ose janë haptazi dashamirës ndaj Putinit ose, së paku, kritikë ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Marine Le Pen, e cila mbetet favorite për ta fituar presidencën franceze pranverën e ardhshme, është zotuar se do t’i “japë fund ndihmës financiare” për Ukrainën – brenda gjashtë muajve nga marrja e detyrës dhe ka refuzuar një ofertë nga Zelenskyy për ta vizituar atë në Kiev. Në të kaluarën, ajo ka qenë shumë më e lumtur të takohej me Putinin – një fotografi e të dyve duke shtrënguar duart zinte vend të dukshëm në fletëpalosjet e saj zgjedhore në vitin 2022, derisa lufta në Ukrainë e bëri imazhin helm elektoral.
Në Gjermani, Alice Weidel, bashkëdrejtuesja e Alternativës për Gjermaninë (AfD) nuk tenton ta fshehë përbuzjen ndaj Ukrainës. Nëse AfD-ja do të jetë në pushtet – aktualisht është me tetë pikë përqindjeje përpara kristiandemokratëve të Friedrich Merzit – Gjermania do t’i jepte fund gjithë ndihmës ushtarake dhe ekonomike. Në një intervistë për The Economist muajin e kaluar ajo vuri në pikëpyetje demokracinë e Ukrainës, duke thënë se ishte “e pamundur” që ajo të fitonte dhe, duke i bërë jehonë Putinit, tha se “interesi i sigurisë së Rusisë” duhet të merret parasysh.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, çuditërisht ka qenë një nga aleatet më të palëkundura të Ukrainës, por tani përballet me një sfidues të ri të ekstremit të djathtë, Roberto Vannacci, politika e të cilit për Ukrainën i bën jehonë asaj të AfD-së. Vannacci ka vënë në pikëpyetje nëse Alexei Navalny u vra nga shteti rus, pretendon se Rusia është demokraci dhe, kur u pyet se kë preferon mes Putinit dhe Zelenskyyt, ai zgjodhi udhëheqësin rus.
Dhe pastaj është Britania. Nigel Farage është goxha i zgjuar për ta kuptuar se Putini është jopopullor në Mbretërinë e Bashkuar, por në të kaluarën ai e ka shprehur vazhdimisht admirimin e tij për udhëheqësin rus. Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, Farage pretendoi se Perëndimi e kishte “provokuar luftën” duke “ngacmuar ariun” dhe e fajësoi Zelenskyyn për pritën e Trumpit në Zyrën Ovale, duke e akuzuar se ishte “i pasjellshëm”. Muajin e kaluar, Farage pretendoi se Ukraina ishte “një nga vendet më të korruptuara në botë” dhe se një qeveri e Reformës do t’i hidhte “një vështrim të kujdesshëm” ndihmës britanike për vendin.
Rritja e popullaritetit të së djathtës ekstreme kundër Ukrainës, më së shumti në Francë, nuk ka kaluar pa u vënë re nga mbështetësit më të mëdhenj të Kievit. Merzi jo vetëm që ka premtuar ta bllokojë buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së nëse nuk ka një paketë të konsiderueshme ndihme për Ukrainën, por propozoi gjithashtu që çdo huadhënie e ardhshme t’i nënshtrohet votimit me shumicë të cilësuar dhe jo unanimitetit. Kjo do të thotë se, nëse një presidente si Le Pen do të dëshironte ta bllokonte një paketë ndihme në nivel të BE-së, do t’i duhej të bindte disa vende të tjera t’i bashkoheshin.
Por mbështetja për Ukrainën mund të jetë duke u dobësuar, gjë që nuk ndihmohet nga kriza e kostos së jetesës në mbarë kontinentin. “Është e lehtë t’i manipulosh njerëzit me zgjidhje të lehta”, tha Tsahkna, ministri i Jashtëm i Estonisë. Ai druhet se zgjedhjet në Francë dhe Gjermani mund ta riformësojnë rrënjësisht kontinentin.
Zelenskyy prej kohësh ka argumentuar se vija e frontit e Ukrainës është vija e frontit e Evropës. E ardhmja e kontinentit po luftohet në Donbas, në tryezën e negociatave dhe në kutitë e votimit. Aleanca Trump-Putin kërcënon çdo komb evropian, por rreziku më i madh është që këto kombe t’i zgjedhin udhëheqësit që e mbështesin atë. /Telegrafi/





