Raste janë raportuar në Cyrih dhe St. Gallen, ndërsa në Gjermani dhe Francë nxënësit kanë përfunduar në urgjencë pas përdorimit të këtyre produkteve. Policia paralajmëron se edhe një thithje e vetme mund të ketë efekte të paparashikueshme.
Lëngjet elektronike të njohura si “Baller”, “Görke”, “Zombie” ose “Banger” po përhapen në oborret e shkollave në Gjermani dhe Francë, ndërsa raste të para janë raportuar edhe në Zvicër. Produktet, të cilat shiten në paketime me ngjyra të ndezura dhe mund të blihen në internet për vetëm 15 euro, përmbajnë kanabinoide sintetike dhe përdoren në cigare elektronike.
Në Gjermani dhe Francë janë regjistruar raste të përsëritura të nxënësve që kanë përfunduar në urgjencë për shkak të efekteve të këtyre lëngjeve. Rastet më të fundit janë raportuar në qytetin Selb, në Bavarinë rurale. Që nga fillimi i vitit, mediat gjermane dhe franceze, si dhe rrjetet sociale, kanë publikuar raportime për rrezikun që paraqesin këto produkte, raporton 20 minuten.
Raste të raportuara në Cyrih dhe St. Gallen
Sipas gazetës “20 Minuten”, edhe në Zvicër ky trend ka filluar të përhapet.
“Policia kantonale e Cyrihut është në dijeni të këtij problemi dhe ka vetëm disa raste të njohura që përfshijnë këtë lloj narkotike”, tha zëdhënësi i policisë së Cyrihut, Florian Frei.
Lëngjet janë të njohura edhe në kantonin e St. Gallenit.
“Policia kantonale e St. Gallenit deri më tani ka regjistruar vetëm disa konfiskime të lëngjeve C (lëngjeve avulluese për cigaret elektronike). Në raste individuale, një sasi më e madhe mund të sekuestrohet menjëherë, për shembull, nëse shpërndarja e tyre parandalohet ose zbulohet”, tha zëdhënësi i policisë së St. Gallenit, Simon Anderhalden.
Policia paralajmëron për efektet e paparashikueshme
Lëngjet që përmbajnë kanabinoide sintetike mund të hidhen në cigare elektronike dhe të thithen përmes avullit. Efektet mund të shfaqen brenda pak sekondash, duke bërë që adoleshentët të dehen nga d****, të humbin ndjenjat dhe të përfundojnë në urgjencë.
Policia e Frankonisë së Epërme në Gjermani ka lëshuar një paralajmërim të fortë për këto produkte.
“Në shikim të parë duken të padëmshme. Por nuk janë”, thuhet në paralajmërimin e policisë.
Sipas autoriteteve, këto nuk janë aromatizues të zakonshëm, por narkotikë. Edhe një thithje e vetme mund të ketë një “efekt të paparashikueshëm”. Policia u bën thirrje veçanërisht prindërve që t’i mbajnë nën vëzhgim fëmijët e tyre dhe, nëse është e nevojshme, të bisedojnë me ta për rreziqet.
Humbje e vetëdijes, rrahje të shpejta të zemrës dhe rrezik për jetën
Revista “Der Spiegel”, në një dokumentar me video, përshkruan mënyrën se si veprojnë këto lëngje.
Kur përdoren cigaret elektronike, lëngu avullohet dhe substanca arrin menjëherë në tru përmes mushkërive. Rezultati mund të jetë një eufori e shkurtër dhe intensive, ose një ndjenjë e fortë mpirjeje, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, efektet mund të jenë edhe shumë më të rënda: humbje e papritur e vetëdijes, rrahje të shpejta të zemrës, të vjella, sulme paniku dhe kolaps i qarkullimit të gjakut, të cilat mund të jenë fatale.
Sipas përshkrimit të “Der Spiegel”, euforia akute përfundon pas rreth 15 deri në 30 minutash. Për këtë arsye, shumë përdorues marrin menjëherë një dozë tjetër, gjë që mund të çojë shpejt në varësi.
Kioskat pranë shkollave i shesin këto produkte
Lëngjet elektronike me ngjyra të ndezura nuk shiten vetëm në internet. Edhe kioskat po përpiqen të përfitojnë nga ky trend.
Në qytetin gjerman të Essenit, një gazetar i gazetës “Westdeutsche Allgemeine Zeitung” (WAZ) shoqëroi këtë muaj një kontroll policor në kioskat e qendrës së qytetit, veçanërisht në ato që ndodhen pranë shkollave.
“Në fund të fundit, grupi i synuar për këto lëngje elektronike me ngjyra të ndezura janë me sa duket studentët”, shkruan WAZ.
Në Francë janë zbuluar disa kanabinoide sintetike
d**** është përhapur edhe në Francë, siç raporton televizioni TF1.
Tekniku i laboratorit parizien Jean-Claude Alvarez ka treguar produkte të shumta me ngjyra të ndezura, të cilat u janë konfiskuar të miturve. Disa prej tyre kanë përfunduar në spital dhe madje u është dashur të ringjallen.
“Këto produkte, të cilat gjenden në posedim të nxënësve të shkollës, duhet të përmbajnë vetëm nikotinë. Por ne gjetëm gjashtë kanabinoide të ndryshme në to”, tha Alvarez.
Sipas raportimit, këto kanabinoide sintetike janë deri në 200 herë më të forta se m******** e zakonshme. Efektet e tyre në tru mund të jenë të jashtëzakonshme, duke filluar nga humbja e kujtesës deri te psikoza e rëndë./Telegrafi/
