Një 31-vjeçare shqiptare ka humbur tragjikisht jetën, pasi është përfshirë në një aksident rrugor në Itali. Ajo udhëtonte së bashku me dy fëmijët e saj të mitur dhe një shok të tyre, kur u aksidentua.
Ngjarja tragjike ndodhi në provincën e Pordenones, në Trieste, kur 31-vjeçarja shqiptare, Emanuela Shahini, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë, makina është përmbysur, duke i marrë jetën nënës shqiptare, e cila po udhëtonte rrugës për në Villanova, ku do të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje së bashku me fëmijët.
Në momentin e aksidentit, ajo ishte në makinë me dy fëmijët e saj të mitur 6 dhe 4 vjeç, dhe shokun e tyre, ku vajza 4-vjeçare është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo është transportuar me helikopter në spitalin e Udines, ndërsa dy të miturit e tjerë po marrin mjekim në spitalin e Pordenones.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe karabinierët, të cilët po kryejnë verifikimet për të rindërtuar dinamikën e aksidentit të rëndë. Sipas mediave të vendit fqinj, dyshohet se automjeti që drejtohej nga shqiptarja ka rrëshqitur në një kthesë, për shkak të lagështisë në rrugë, është përplasur me një shtyllë betoni anës rrugës dhe është përmbysur në një kanal. /Tch/





