Aksidenti hekurudhor në Spanjë – çfarë ndodhi 17 minuta para përplasjes?

Bota

Një defekt në sistemin e sinjalizimit në linjën hekurudhore Madrid–Sevilje dyshohet se mund të ketë ndikuar në përplasjen mes një treni AVE të kompanisë Renfe dhe një treni Iryo, ku humbën jetën 69 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën. Aksidenti ndodhi të mërkurën, më 28 tetor, në Urda, në provincën e Toledos, kur […]

Madhësia e shkronjave

Një defekt në sistemin e sinjalizimit në linjën hekurudhore Madrid–Sevilje dyshohet se mund të ketë ndikuar në përplasjen mes një treni AVE të kompanisë Renfe dhe një treni Iryo, ku humbën jetën 69 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën.

Aksidenti ndodhi të mërkurën, më 28 tetor, në Urda, në provincën e Toledos, kur treni AVE u përplas me pjesën e pasme të trenit Iryo, i cili ishte i ndaluar në të njëjtën linjë.

Hetimi është përqendruar te defekti në sistemin e sigurisë LZB dhe vendimi i qendrës së kontrollit të Adif-it në Madrid për të lejuar trenin AVE të vazhdonte udhëtimin, pavarësisht problemeve teknike.

Çfarë ndodhi 17 minuta para përplasjes?

Sipas regjistrimeve të komunikimeve të publikuara nga gazeta El País, ngjarjet u zhvilluan kështu:

08:30 – Një defekt informatik nxjerr jashtë funksionit sistemin LZB, duke detyruar disa trena të ndalojnë.

08:36 – Qendra e kontrollit autorizon trenin AVE të rifillojë udhëtimin në kushte normale, sipas një sistemi alternativ sinjalizimi.

08:41 – Drejtuesja e trenit Iryo njofton se treni i saj mbetet i ndaluar pranë Urda-s. Edhe asaj i jepet autorizimi për të rifilluar udhëtimin.

08:48 – Drejtuesja e Iryo-s raporton sërish se treni nuk mund të niset dhe se sistemi LZB nuk funksionon. Sipas regjistrimeve, trenit AVE nuk i jepet urdhër për të ndaluar.

08:53 – Treni AVE përplaset me pjesën e pasme të trenit Iryo, pasi kishte përshkuar rreth 25 kilometra nga momenti kur ishte autorizuar të vazhdonte.

Këto komunikime ngrenë pikëpyetje mbi arsyen pse treni AVE nuk u ndal ose nuk u urdhërua të ngadalësonte pasi qendra e kontrollit u njoftua se treni Iryo vazhdonte të ishte i palëvizshëm.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e cilësoi vendimin për lejimin e lëvizjes së trenit AVE si “të pashpjegueshëm”.

Si do të vazhdojnë hetimet?

Hetuesit do të shqyrtojnë nëse janë respektuar procedurat e sigurisë dhe pse autorizimi për trenin AVE nuk u rishikua pas paralajmërimeve.

Të dhënat e kutive të zeza dhe regjistrimet e komunikimeve pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e shkaqeve.

Gjykata në Orgaz, në provincën e Toledos, ka marrë përsipër hetimin gjyqësor, ka urdhëruar ruajtjen e kutive të zeza dhe ka kufizuar qasjen në zonën e aksidentit.

Për momentin, shkaku përfundimtar i tragjedisë dhe përgjegjësitë përkatëse mbeten të papërcaktuara.

Një hetim teknik i pavarur do të analizojë gjithashtu masat që mund të parandalojnë aksidente të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/

Komentet