AGSH: Të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve brenda një jave, sulmohen gazetarët e Reuters dhe ekipi i A2 CNN

Nacionale

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ngritur shqetësimin për dhunën dhe intimidimin ndaj gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri, duke bërë të ditur se bilanci paraprak për periudhën 13–19 tetor 2026 ka arritur në të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Në rastet e raportuara përfshihet edhe sulmi ndaj ekipit të televizionit […]

Madhësia e shkronjave

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ngritur shqetësimin për dhunën dhe intimidimin ndaj gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri, duke bërë të ditur se bilanci paraprak për periudhën 13–19 tetor 2026 ka arritur në të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Në rastet e raportuara përfshihet edhe sulmi ndaj ekipit të televizionit A2 CNN në Tiranë.

Sipas njoftimit të AGSH-së, dy gazetarë të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters janë goditur nga fishekë gome gjatë mbulimit të përleshjeve në Tiranë më 17 tetor.

Organizata i ka cilësuar këto raste si shqetësuese, duke theksuar rrezikun që paraqesin fishekët e gomës për sigurinë fizike të gazetarëve që raportojnë nga protestat.

Një tjetër incident është raportuar në Durrës, ku fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken ka deklaruar se dy persona me veshje civile i janë afruar dhe i kanë kërkuar të fshijë pamjet filmike që po regjistronte.

Sipas AGSH-së, fotoreporteri po filmonte disa burra të veshur me të zeza, të cilët, sipas informacioneve të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), mbanin jelekë me shenja identifikuese të policisë.

Lueppken ka shprehur dyshimin se personat që i kërkuan fshirjen e pamjeve mund të kishin lidhje me grupin që po filmonte. Megjithatë, identiteti i tyre dhe përkatësia e mundshme në strukturat policore nuk janë konfirmuar.

Në një deklaratë tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar sulmin e raportuar ndaj ekipit të xhirimit të televizionit A2 CNN gjatë mbulimit të protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.

Sipas informacioneve të siguruara nga AGSH, ekipi i xhirimit, përfshirë kameramanin Fation Nurçellari, është goditur nga dy protestues, ndërsa po dokumentonte zhvillimet në terren.

AGSH e ka cilësuar incidentin të papranueshëm, duke theksuar se dhuna ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias cenon sigurinë e tyre dhe lirinë e medias.

“Asnjë pjesëmarrës në protestë nuk ka të drejtë të sulmojë apo të pengojë punonjësit e medias, pavarësisht qëndrimeve ndaj raportimit apo politikave editoriale të një televizioni”, thuhet në deklaratë.

Organizata u ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që t’i identifikojnë menjëherë dy autorët e dyshuar të sulmit ndaj ekipit të A2 CNN, të sigurojnë pamjet filmike dhe dëshmitë e personave të pranishëm, si dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore.

AGSH ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që t’i verifikojnë incidentet e raportuara, përfshirë rrethanat e goditjes së dy gazetarëve të Reuters dhe rastin e fotoreporterit zviceran, të cilit iu kërkua fshirja e pamjeve filmike.

Organizata ka dënuar çdo formë dhune, kërcënimi dhe presioni ndaj gazetarëve, duke kërkuar që ata të jenë të lirë të dokumentojnë zhvillimet me interes publik pa u përballur me intimidim.

Sipas AGSH-së, bilanci prej të paktën 37 incidentesh për periudhën 13–19 tetor 2026 përfshin rastet e raportuara ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, mes tyre edhe dy gazetarët e Reuters dhe incidentin ndaj fotoreporterit Raimond Lueppken.

AGSH ka ritheksuar se siguria e gazetarëve është detyrim i autoriteteve shtetërore dhe nuk duhet të varet nga rrethanat në të cilat zhvillohen protestat. /Telegrafi/

Komentet