Një foto e shkrepur në një nga rrugët e Bujanocit po bën xhiron e internetit dhe ka ndezur një debat të madh plot ironi në rrjetet sociale, duke sjellë një kritikë të ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohen hapësirat publike në qytet.
Në foton e publikuar shihet një vend i ri parkingu, i cili në shikim të parë është i rregullt sa i përket ndarjes mes rrugës dhe trotuarit, por që përmban një skandal të vërtetë në mes të tij.
Një dru i ri, i mbjellë me rregull nga vetë institucionet për të gjelbëruar qytetin, ka përfunduar i bllokuar fiks në mes të vijave të bardha të parkingut.
Ky detaj ka shkaktuar reagime të ashpra dhe kritika të mëdha nga qytetarët në Facebook.
Rasti po shihet si dëshmi e qartë e mungesës totale të koordinimit mes ndërmarrjeve publike: nëse njëra ndërmarrje investon paratë e qytetarëve për të mbjellë pemë dhe për të krijuar ambient të pastër, vjen ndërmarrja tjetër dhe e kthen atë hapësirë në biznes parkingi pa u interesuar fare për dëmtimin e gjelbërimit.
Qytetarët po pyesin me ironi se si mund të parkojë një shofer aty pa e goditur drurin, ose nëse tani e tutje edhe pemët e qytetit duhet të paguajnë SMS për të qëndruar në atë vend.
Kjo pamje po qarkullon kudo si një alarm për papërgjegjshmërinë e kompanisë që po vizaton parkingjet e reja me pagesë, duke kërkuar që ky gabim trashanik të përmirësohet urgjentisht dhe të ruhen zonat e gjelbëruara të Bujanocit./BujanociNet/






