A po përdor FIFA standard të dyfishtë? Refuzon ankesën e Francës për kartonin e verdhë të Michael Olise

Sport

FIFA ka refuzuar kërkesën e Federatës Franceze të Futbollit për anulimin e kartonit të verdhë të Michael Olise, të cilin ai e mori në ndeshjen ndaj Paraguait. Mesfushori ofensiv i Francës do të luajë në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Marokut nën kërcënimin e pezullimit, pasi një tjetër karton i verdhë do ta përjashtonte […]

Madhësia e shkronjave

FIFA ka refuzuar kërkesën e Federatës Franceze të Futbollit për anulimin e kartonit të verdhë të Michael Olise, të cilin ai e mori në ndeshjen ndaj Paraguait.

Mesfushori ofensiv i Francës do të luajë në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Marokut nën kërcënimin e pezullimit, pasi një tjetër karton i verdhë do ta përjashtonte nga një gjysmëfinale e mundshme.

Olise u ndëshkua me karton të verdhë në kohën shtesë të fitores 1-0 të Francës ndaj Paraguait, pas një ndërhyrjeje ndaj Matias Galarzas.

Federata Franceze argumentoi se lojtari nuk e kishte prekur kundërshtarin dhe kërkoi nga FIFA anulimin e kartonit, por ankesa nuk u pranua.

Vendimin e FIFA-s e ka konfirmuar edhe përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, në konferencën për shtyp para përballjes me Marokun.

“Këtë mëngjes morëm vendimin e FIFA-s. Kartoni mbetet”, deklaroi Deschamps.

Ky zhvillim paraqet një shqetësim shtesë për Francën para një prej ndeshjeve më të rëndësishme të turneut, pasi Deschamps do të duhet të llogarisë me kujdes rrezikun që Olise të mungojë në rast të kualifikimit në gjysmëfinale.

Vendimi vjen pak kohë pasi FIFA pranoi një ankesë tjetër dhe anuloi kartonin e kuq të Folarin Balogun, sulmuesit të kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/