Komuna e Yomras, në qytetin turk të Trabzonit, po përgatitet t’i emërojë një rrugë yllit egjiptian të Trabzonsporit, Mohamed Salah.
Autoritetet lokale kanë përfunduar procedurat e nevojshme dhe kanë marrë miratimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë. Puna për vendosjen e tabelave me emrin e ri të rrugës pritet të nisë së shpejti, ndërsa data e inaugurimit do të caktohet në periudhën e ardhshme.
Kryetari i komunës së Yomras, Mustafa Beyik, ka treguar për kanalin On Sport se ideja lindi si shenjë vlerësimi për figurën e Salahut dhe rëndësinë e madhe që prania e tij te Trabzonspori ka për banorët vendas
Ai theksoi se ardhja e futbollistit u prit me gëzim të madh, si për cilësitë e tij në fushë, ashtu edhe për spektaklin që u ofron tifozëve në stadium.
Sipas Beyikut, komuna dëshironte që këtë krenari dhe entuziazëm ta kthente në një nderim zyrtar, duke ia kushtuar një rrugë emrit të futbollistit. Fakti që Salahu jeton brenda territorit administrativ të Yomras i nxiti autoritetet që ta ndërmerrnin këtë hap dhe ta ndanin me banorët gëzimin për yllin e skuadrës.
Propozimi u paraqit në këshillin lokal, ku mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve, pa asnjë kundërshtim. Më pas, komuna nisi procedurat ligjore për zbatimin e vendimit.
Beyik shpjegoi se, sipas rregullave në Turqi, emërtimi i rrugëve me emrat e personaliteteve të huaja kërkon edhe miratimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për këtë arsye, komuna dërgoi një kërkesë zyrtare për të marrë lejen që rruga të mbajë emrin e Salahut.
Mohamed Salah arrin një rekord të rrallë në tri garat evropiane për klube
Miratimi erdhi brenda vetëm një jave, ndonëse procedurat e tilla zakonisht zgjasin më shumë, pasi autoritetet duhet të shqyrtojnë të dhënat, historikun dhe prejardhjen e personit që propozohet për këtë nderim.
Kryetari i komunës zbuloi gjithashtu se drejtuesit e Trabzonsporit e kanë njoftuar Salahun për vendimin përmes anëtarëve të bordit drejtues. Sipas tij, futbollisti ka shprehur gëzim të madh për këtë nderim, i cili do ta përjetësojë emrin e tij në njërën prej rrugëve të zonës ku jeton./Telegrafi/