Brunilda Milkani nga GIZ flet për rëndësinë e mediave dhe qëndrueshmërinë financiare në Ballkanin Perëndimor

Nacionale

Qëndrueshmëria financiare e mediave duhet t’i shërbejë raportimit të pavarur dhe interesit publik. Kështu ka deklaruar Brunilda Milkani, menaxhere e projektit rajonal Sustain Media në GIZ, duke folur për mbështetjen ndaj mediave në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Forumit të Zërave Publikë në Budva të Malit të Zi. Sipas saj, sfidat e vazhdueshme ekonomike dhe […]

Madhësia e shkronjave

Qëndrueshmëria financiare e mediave duhet t’i shërbejë raportimit të pavarur dhe interesit publik. Kështu ka deklaruar Brunilda Milkani, menaxhere e projektit rajonal Sustain Media në GIZ, duke folur për mbështetjen ndaj mediave në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Forumit të Zërave Publikë në Budva të Malit të Zi.

Sipas saj, sfidat e vazhdueshme ekonomike dhe teknologjike kërkojnë modele të reja financimi, forcim të kapaciteteve profesionale dhe një qasje afatgjatë ndaj zhvillimit të mediave.

“Qëllimi ynë është të punojmë për qëndrueshmërinë e mediave. Kemi media të pavarura dhe cilësore, të cilat përballen me shumë sfida. Synimi është t’i ndihmojmë të kalojnë nga stadi i mbijetesës në zhvillim, që t’u bëjnë ballë sfidave teknologjike dhe ekonomike”, ka thënë Milkani, shkruan Telegrafi.

– YouTube www.youtube.com

Ajo ka shpjeguar se programi Sustain Media, i zbatuar nga GIZ dhe i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, vepron në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në fazën e parë, sipas saj, janë mbështetur rreth 100 media në rajon, përfshirë mbi 15 në Kosovë.

Mbështetja përfshin media të madhësive dhe profileve të ndryshme, nga mediat komerciale dhe organizatat mediatike jofitimprurëse te mediat lokale dhe ato të komuniteteve pakicë. Sipas Milkanit, kjo mbështetje do të vazhdojë deri në vitin 2028.

Financimi, ka theksuar ajo, mbetet një prej sfidave kryesore të sektorit. Modelet tradicionale, të mbështetura te reklamat dhe sponsorizimet, po përballen me kufizime, ndaj mediat duhet të zhvillojnë burime të tjera të të ardhurave krahas mbështetjes nga donatorët.

“Duam që mediat të zhvillojnë edhe mënyra të reja financimi. Përveç mbështetjes nga donatorët, ato mund të ofrojnë shërbime dhe të realizojnë fushata të financimit nga publiku”, është shprehur ajo.

Duke folur për zhvillimet teknologjike, Milkani ka vlerësuar se ato kanë lehtësuar dhe përshpejtuar prodhimin e materialeve gazetareske, por njëkohësisht kanë shtuar sfidat që lidhen me dezinformimin dhe lajmet e rreme.

“Teknologjia e ka lehtësuar shumë punën e mediave dhe të gazetarëve, sepse mund të prodhojnë materiale më shpejt, por gjithmonë duhet përgjegjshmëri dhe seriozitet në sjelljen e lajmit”, ka deklaruar ajo.

Milkani ka folur edhe për rëndësinë e edicionit të parë të Forumit të Zërave Publikë, të organizuar në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit. Sipas saj, forumi synonte të bashkonte përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarët për të diskutuar mënyrën e komunikimit me qytetarët, me fokus integrimin evropian.

“Ideja ishte t’i sillnim bashkë të gjithë aktorët që punojnë për të mirën publike, që të dialogonin për integrimin evropian dhe për mënyrën se si media mund t’i ndihmojë qytetarët t’i kuptojnë më mirë proceset dhe përfitimet që vijnë prej tyre”, ka thënë Milkani.

Intervistë me Filip Radunović nga GIZ: Sfidat dhe e ardhmja e mediave në Ballkan

Ajo ka shtuar se institucionet duhet të komunikojnë më thjesht dhe më drejtpërdrejt me publikun, duke i kushtuar kohë shpjegimit të proceseve dhe ndërtimit të besimit.

Sipas saj, rëndësia e forumit lidhej edhe me mbajtjen e tij një ditë përpara samitit të Procesit të Berlinit, pasi diskutimet dhe rekomandimet ishte paraparë t’u përcilleshin liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Synimi, ka shtuar ajo, është që forumi të organizohet çdo vit. /Telegrafi/.

Komentet