Miteva: Qeveria formon Komitetin Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve

Rajon

Zëdhënsja e Qeverisë, Marija Miteva njofton se Qeveria në seancën e sotme, miratoi vendim për formimin e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve. “Bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm institucional, me të cilin vendoset mekanizëm i organizuar për koordinim ndërmjet institucioneve shtetërore kompetente dhe organizatave mediatike, qëllimi kryesor i të cilit është […]

Madhësia e shkronjave

Zëdhënsja e Qeverisë, Marija Miteva njofton se Qeveria në seancën e sotme, miratoi vendim për formimin e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve.

“Bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm institucional, me të cilin vendoset mekanizëm i organizuar për koordinim ndërmjet institucioneve shtetërore kompetente dhe organizatave mediatike, qëllimi kryesor i të cilit është avancimi i sigurisë së gazetarëve, parandalimi i kërcënimeve dhe sulmeve, si dhe krijimi i kushteve për ushtrimin e lirë dhe të papenguar të profesionit të gazetarisë.
Dëshirojmë që kjo çështje të trajtohet në mënyrë të vazhdueshme institucionale, me obligime të qarta dhe mekanizma konkretë për veprim. Siguria e gazetarëve nuk duhet të jetë temë vetëm kur ndodh ndonjë incident. Obligimi i institucioneve është të veprojnë me kohë, t’i identifikojnë rreziqet dhe të sigurojnë mbrojtjen e duhur.

Komiteti Nacional do të ketë për detyrë të ndjekë gjendjen me sigurinë e gazetarëve, të avancojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit mediatik, si dhe të hartojë Planin Nacional për Veprim për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve më së voni deri më 15.12.2026, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare.

Plani do të bazohet në katër fusha thelbësore: parandalimi, mbrojtja, ndjekja efikase penale e kryerësve dhe promovimi dhe edukimi.

Në pjesën e parandalimit, theksi do të vihet te pluralizmi mediatik, mbështetja institucionale dhe dialogu me mediat. Në pjesën e mbrojtjes, parashikohet zhvillimi i mekanizmave për reagim urgjent, mbështetje policore dhe juridike, duke përfshirë edhe mbrojtjen nga kërcënimet në hapësirën digjitale. Rëndësi të veçantë do të ketë veprimi efikas në rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përmes bashkëpunimit me organet kompetente për zhvillimin e hetimeve në kohë dhe sanksionimin përkatës, në përputhje me kompetencat ligjore. Segmenti i katërt do të përqendrohet në edukimin, trajnimet dhe aktivitetet që synojnë ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e profesionit të gazetarisë”, thonë nga Qeveria./Telegrafi/

Komentet