Komuna e Vitisë ka shpërndarë 112 mekanizma bujqësorë për fermerët përfitues, me qëllim të mbështetjes së veprimtarisë së tyre dhe zhvillimit të bujqësisë në këtë komunë.
Sipas njoftimit të Komunës, shpërndarja është realizuar nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ndërsa vlera e furnizimit me këto pajisje është mbi 120 mijë euro.
Fermerët kanë përfituar 70 motokultivatorë me frezë, 20 makina mbjellëse të grurit, 20 plugje, një atomizator për spërkatjen e pemëve dhe një makinë për shtrimin e folisë.
Në ceremoninë e pranimit dhe dorëzimit të mekanizmave ishin të pranishëm kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira.
Haliti ka thënë se Komuna do të vazhdojë të mbështesë fermerët, duke paralajmëruar se së shpejti do të bëhet edhe furnizimi dhe shpërndarja e pajisjeve të tjera agroteknike për përfituesit.
Ai ka theksuar se planifikimi për shpërndarjen e pajisjeve në vitet e ardhshme do të bëhet duke u bazuar në nevojat e fermerëve dhe në kulturat e ndryshme bujqësore që ata kultivojnë.
Ndërkaq, drejtori Naim Pira ka bërë të ditur se 80 për qind e vlerës së mekanizmave është mbuluar nga Komuna, ndërsa 20 për qind nga fermerët përfitues.
Pira ka njoftuar gjithashtu se në ditët në vijim do të vazhdojë shpërndarja e mekanizmave të tjerë bujqësorë për fermerët përfitues të kësaj komune. /Telegrafi/