Deputeti i zgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Visar Mehmeti, ka falënderuar votuesit, aktivistët dhe subjektet politike shqiptare për kontributin në procesin zgjedhor, duke vlerësuar se bashkëpunimi politik mundësoi përfaqësim me më shumë se një ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Në një mesazh drejtuar bashkëkombësve, Mehmeti ka thënë se procesi nisi më 29 shtator, me nënshkrimin e marrëveshjes për një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi, në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.
Ai ka theksuar se ky mandat përbën përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve që e mbështetën procesin, por edhe ndaj atyre që kanë qenë skeptikë.
“Ky mandat nuk është vetëm një përgjegjësi personale, por mbi të gjitha një obligim ndaj çdo qytetari që besoi në këtë proces, si dhe ndaj atyre që, deri në fund, mbetën skeptikë”, ka shkruar Mehmeti.
Ai ka falënderuar në veçanti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, institucionet e Kosovës, partitë politike dhe personalitetet publike që, sipas tij, kontribuuan në këtë proces.
Mehmeti ka shprehur mirënjohje edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë dhe në diasporë, të cilët u kthyen për të votuar.
Duke folur për angazhimin e tij të ardhshëm në Parlamentin e Serbisë, ai ka premtuar se do të punojë për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Do të angazhohem me përkushtim, vendosmëri dhe përgjegjësi që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet fuqishëm në Parlamentin e Serbisë, që të drejtat tona të mbrohen dhe interesat tona të përfaqësohen me dinjitet”, ka deklaruar Mehmeti.
Në fund, ai ka vlerësuar se bashkëpunimi mes shqiptarëve është i rëndësishëm për përfaqësimin e tyre politik, duke theksuar se ky proces dëshmoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët. /Telegrafi/