Zvicra propozon gjashtë masa të reja për frenimin e kostove të shëndetësisë

Bota

Siguruesit shëndetësorë, spitalet dhe autoritetet zvicerane kanë rënë dakord për gjashtë masa të reja që synojnë frenimin e kostove të kujdesit shëndetësor, të cilat pritet të zbatohen deri në vitin 2027. Vendimi u bë i ditur të hënën nga ministrja zvicerane e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, pas takimit të pestë të tryezës së rrumbullakët, të mbajtur […]

Madhësia e shkronjave

Siguruesit shëndetësorë, spitalet dhe autoritetet zvicerane kanë rënë dakord për gjashtë masa të reja që synojnë frenimin e kostove të kujdesit shëndetësor, të cilat pritet të zbatohen deri në vitin 2027.

Vendimi u bë i ditur të hënën nga ministrja zvicerane e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, pas takimit të pestë të tryezës së rrumbullakët, të mbajtur në Bernë.

Nisma synon të përballet me rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve shëndetësore, në një kohë kur qytetarët zviceranë po përballen edhe me rritjen e primeve të sigurimit shëndetësor, raporton Swissinfo.

Gjashtë masa për uljen e shpenzimeve

Masat e reja përfshijnë rritjen e transparencës së çmimeve të pajisjeve mjekësore dhe nxitjen e trajtimit ambulator, i cili zakonisht është më pak i kushtueshëm sesa trajtimi me qëndrim në spital.

Po ashtu, dy organizata do të vlerësojnë tarifat e shërbimeve ambulatore në shkallë të gjerë dhe përgjatë një periudhe të caktuar. Kjo do t’u mundësojë kantoneve të monitorojnë ndryshimet e çmimeve gjatë kalimit nga trajtimi spitalor në atë ambulator.

Ministrja Baume-Schneider i cilësoi këto masa si pragmatike, duke theksuar se ato nuk rrezikojnë sigurinë e pacientëve apo cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Sipas Departamentit Federal të Punëve të Brendshme, masat e tjera përfshijnë lehtësimin e ngarkesës në repartet e urgjencës, zhvillimin e programeve të kujdesit për personat me sëmundje kronike, koordinimin e furnizimit me barna për shtëpitë e të moshuarve dhe nxitjen e trajtimeve që mund të kryhen në shtëpi, transmeton Telegrafi.

Kursimet ende nuk janë përcaktuar

Pjesëmarrësit e takimit janë pajtuar që të gjashtë masat të zbatohen deri në vitin 2027. Disa prej tyre përfshijnë edhe propozime të paraqitura nga qytetarët përmes një platforme elektronike.

Megjithatë, ndikimi financiar i masave të reja ende nuk është llogaritur. Përfaqësuesja e kantonit Jura ka vlerësuar se, nëse zbatohen me sukses, ato mund të sjellin kursime më të mëdha sesa ato që ishin parashikuar nga paketa e parë.

Në takimet e mëparshme, palët kishin miratuar një paketë prej 12 masash për frenimin e kostove të shëndetësisë.

Gjatë diskutimeve të fundit u trajtua edhe çështja e pagave të mjekëve specialistë, por për këtë temë nuk u arrit pajtim mes pjesëmarrësve.

Baume-Schneider theksoi se palët vendosën të përqendrohen në fushat ku ekziston konsensus, në vend që të vazhdonin diskutimet pa arritur rezultate konkrete.

Ajo rikujtoi se tryeza e rrumbullakët nuk merr vendime detyruese dhe se zbatimi i masave duhet të ndiqet përmes procedurave përkatëse parlamentare./Tellegrafi/

Komentet