Meghan Markle ka folur pas daljes së akuzave të rënda kundër babait të saj , 82-vjeçarit Thomas Markle Sr., për posedim të dyshuar të materialeve me abuzim seksual me fëmijë. Akuzat u bënë nga djali i tij Thomas Markle Jr., gjysmëvëllai i Dukeshës së Sussex.
Gazeta britanike The Sun publikoi dje pretendimet e tij se kishte gjetur materiale kontroverse në shtëpinë e babait të tij në Cebu të Filipineve dhe se e kishte raportuar zbulimin te autoritetet përkatëse, përfshirë FBI-në.
Dukesha e Sussex, 45 vjeç, komentoi mbi akuzat në një deklaratë për revistën People. “Jam thellësisht e tronditur nga lajmet që kanë dalë gjatë 24 orëve të fundit. Mendimet e mia janë me çdo fëmijë që mund të ketë qenë viktimë”, tha ajo.
“Në vitin 2018, një letër iu dërgua Policisë Metropolitane të Londrës dhe shërbimit përgjegjës për mbrojtjen e familjes mbretërore dhe diplomatëve. Kjo letër më u dërgua më vonë. Ajo renditte akuza shqetësuese kundër babait tim dhe më thanë se çështja po hetohej”, vazhdoi ajo.

Meghan shtoi: “Shpresoj se tani është e qartë pse u distancova nga babai im dhe vendosa të mos e lejoj të kontaktojë me fëmijët tanë, pavarësisht se disa media e kanë shtrembëruar të vërtetën për vite me radhë. Kishte vetëm një arsye: t’i mbroja ata.”
“Kisha besim se autoritetet do t’i mbronin familjet e tjera në të njëjtën mënyrë”, tha ajo. “Ndërsa ajo që është zbuluar tani është edhe më e tmerrshme nga sa mund ta kishte imagjinuar kushdo, shpresoj sinqerisht që drejtësia do të vihet në vend. Siguria dhe mbrojtja e fëmijëve të pafajshëm duhet të mbetet një përparësi.”
Meghan është fëmija i vetëm i Thomas Markle Sr. dhe Doria Ragland. Thomas ka dy fëmijë të tjerë nga martesa e tij e parë me Roslyn Loveless, një djalë, Thomas Jr. (60) dhe një vajzë, Samantha (61).
Çfarë pretendon Thomas Markle Jr.?
Thomas Jr. i tha gazetës The Sun se e gjeti materialin në fjalë në katër kuti të mëdha. Ai tha se ato përmbanin “qindra, nëse jo mijëra” fotografi që ai pretendon se tregojnë abuzim seksual me fëmijë. Ai tha se gjeti gjithashtu pamje të vajzave nën moshën 11 vjeç që abuzoheshin seksualisht, si dhe një video 15-minutëshe të fëmijëve të zhveshur në celularin e vjetër të babait të tij.
“Në kompjuterin e tij kishte rreshta e rreshta me miniatura fotosh që çonin në skenat më të tmerrshme të abuzimit me fëmijë që mund të imagjinoni. Ishte gjëja më e keqe që kam parë ndonjëherë”, tha Thomas Jr. për The Sun. Ai gjithashtu pretendon se ka gjetur tre foto vajzash të zhveshura dhe i tha The Sun se besonte se njëra prej tyre ishte bërë në ish-shtëpinë e babait të tij në Rosarito të Meksikës.
Sipas gazetës britanike, Thomas Jr. gjeti gjithashtu libra të vjetër që ai pretendon se ishin plot me foto vajzash të zhveshura. Njëri prej tyre dyshohet se përmbante skena të abuzimit seksual të një fëmije shumë të vogël. “Më erdhi keq nga ajo që pashë. I gjeta të gjitha rastësisht dhe nuk dija çfarë të bëja”, tha ai.
“E kuptova menjëherë se ky ishte material i paligjshëm dhe se mund të përfundoja në burg për shumë vite nëse nuk do të bëja gjënë e duhur. U ndjeva i tradhtuar, i zemëruar dhe i neveritur. E kuptova se duhej ta raportoja.”