Mediumi i famshëm “CNN” e ka vlerësuar talentin e New York Red Bulls Adri Mehmeti si e ardhmja e futbollit për Kombëtaren e Amerikës në futboll.
Pavarësisht moshës së re, Mehmeti është shndërruar në titullar të rregullt te New York Red Bulls, ndërsa muajin e kaluar debutoi edhe me Kombëtaren A të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai është pjesë e një gjenerate të re të futbollistëve të rinj që po dalin nga Major League Soccer (MLS), të cilët pritet ta çojnë futbollin amerikan në një nivel tjetër.
“Nuk e prisja që gjithçka të ndodhte kaq shpejt”, ka deklaruar Mehmeti në një intervistë për CNN Sports, duke folur për ngritjen e tij të shpejtë.

“Në fillim mendoja: ‘Uau, kjo është e çmendur’, sepse një vit isha te skuadra e dytë, ndërsa vitin tjetër u gjenda te ekipi i parë”.
“Jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë trajnerëve dhe stafit që më kanë besuar dhe më kanë dhënë mundësinë të luaj në këto ndeshje. Çdo ditë po mësohem gjithnjë e më shumë me këtë”.
Babai, ndikimi më i madh në karrierën e tij
Në shumë aspekte, Mehmeti është një futbollist që sfidon pritshmëritë. Fytyra e tij rinore nuk e zbulon aftësinë për të luajtur në një prej pozicioneve më kërkuese në fushë, atë të mesfushorit defensiv, ku zakonisht kërkohet përvojë e madhe dhe pjekuri taktike.
Megjithatë, kur vendoset në qendër të fushës, ai duket plotësisht i natyrshëm. Me çorapet e ulëta dhe shtatlartësinë rreth 1.83 metra, Mehmeti lëviz me lehtësi në fushë, kërkon topin edhe në hapësira të ngushta dhe tregon besim të madh në aftësitë e tij teknike.
Pas ngritjes së tij qëndrojnë talenti natyror, përkushtimi dhe sakrificat familjare. Gjithçka nisi që në fëmijërinë e hershme, kur babai i tij u bë personi më i rëndësishëm në rrugëtimin drejt futbollit profesionist.
“Për mua, babai im është ndikimi më i madh, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, ka thënë Mehmeti.
“Në fushë më ka ndihmuar shumë. Besoj se kam filluar të luaj me top me të kur isha rreth dy vjeç. Luajtja çdo ditë me top në oborrin e shtëpisë më lidhi me futbollin dhe më bëri ta dashuroja këtë sport që në fillim”.
“Me kalimin e kohës, dashuria ime për futbollin u rrit çdo ditë. Teksa rritesha, e kuptova se kjo ishte ajo që dëshiroja të bëja dhe ëndrra që doja ta realizoja”.
Prindërit shqiptarë dhe ëndrra e madhe
Për shumë fëmijë që u rritën në New York gjatë viteve 2010, futbolli nuk ishte domosdoshmërisht sporti i parë i preferuar. Shumë prej tyre orientoheshin drejt basketbollit apo bejsbollit, por për Mehmetin futbolli ishte gjithmonë në qendër të jetës.
Të dy prindërit e tij janë nga Shqipëria, një vend ku futbolli zë një vend të veçantë në jetën e njerëzve. Edhe babai i tij kishte luajtur futboll në rini, duke përfaqësuar vendin në nivel të grupmoshave.
Kjo dashuri për lojën iu përcoll edhe Mehmetit, i cili vazhdon të jetojë me familjen e tij, pavarësisht se tashmë është pjesë e futbollit profesionist.
“Ende e dua futbollin çdo ditë. Ndonjëherë, edhe tani, luaj me top me babanë në oborrin e shtëpisë”.
“Shpesh e mbaj topin pranë këmbëve edhe brenda shtëpisë. Gjithmonë kam një top afër vetes dhe nuk besoj se kjo dashuri do të zhduket ndonjëherë, sepse ky është sporti që kam zgjedhur dhe për të cilin prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë”.
“Kjo është edhe arsyeja pse e bëj për ta. Sakrificat e tyre më motivojnë çdo ditë”, ka përfunduar talenti me origjinë shqiptare.
Përndryshe, Mehmeti ka përfaqësuar Shqipërinë në të kaluarën por pastaj zgjodhi Amerikën. Meqenëse ende nuk ka debutuar zyrtarisht me SHBA-në, ka ende të drejtë që të ndryshojë mendje dhe të luajë për “Kuq e Zinjtë”, por një situatë e tillë vështirë që mund të realizohet.
Mehmeti do të rikthehet në fushë këtë fundjavë, kur New York Red Bulls do të përballet me Inter Miamin e Lionel Messit, të shtunën. Një tjetër mundësi për 17-vjeçarin që të dëshmojë potencialin e tij përballë një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror./Telegrafi/