Valton Haxhiu po e ndërton karrierën e tij në futboll përmes një rrugëtimi që nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdoi në Gjermani dhe tashmë po shkruan një kapitull të ri në Kosovë, te Prishtina e Re.
Haxhiu luan si sulmues krahu dhe dallohet për shpërthimet e fuqishme, goditjen e fortë dhe aftësinë e mirë në kërcim, cilësi që i japin mundësi të jetë i rrezikshëm në fazën sulmuese.
Që ta ndiqte ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist, Valton Haxhiu ka lënë pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sfiduar veten në Evropë.
Rrugëtimi i tij e çoi fillimisht në Gjermani, ku iu bashkua Kaiserslauternit U19 dhe u përball me intensitetin e konkurrencën e futbollit evropian, përpara se të vazhdonte rrugën në Kosovë, te Prishtina e Re.
Sot, 20-vjeçari synon të zhvillohet sa më shumë si futbollist, të ndihmojë skuadrën drejt inkuadrimit në Superligë dhe të afrohet me një tjetër ëndërr të madhe: veshjen e fanellës së Kombëtares së Kosovës, fillimisht U21, pastaj edhe atë A.
Nga hobi në ëndrrën për futboll profesionist
Rrugëtimi i Haxhiut në futboll nisi që në moshën katërvjeçare, kur prindërit e dërguan në futboll për të bërë aktivitet fizik.
Me kalimin e viteve, megjithatë, ky sport u shndërrua në një pjesë të rëndësishme të jetës së tij.
“Rrugëtimi im në futboll nisi thjesht si një hobi. Që nga mosha 4-vjeçare, prindërit më dërguan në futboll vetëm për të bërë aktivitet fizik. Mirëpo, me kalimin e viteve, kuptova se futbolli nuk ishte thjesht një sport për mua, por një mënyrë jetese. Duke parë futbollistët e mëdhenj dhe emocionet e tyre kur shënonin gola, fillova të ëndërroja që një ditë t’i përjetoja edhe unë ato momente. Kjo më motivoi ta ndiqja futbollin profesionalisht”, tregon Haxhiu për Telegrafin.
Përvoja në futbollin gjerman
Pasi përfundoi shkollën e mesme në Amerikë dhe mbushi 18 vjet, Haxhiu vendosi të provonte veten në futbollin evropian. Ai iu bashkua Kaiserslauternit U19 në Gjermani, ku u përball me një nivel tjetër të futbollit dhe me konkurrencë të lartë.
“Pasi mbusha 18 vjet dhe përfundova shkollën e mesme në Amerikë, vendosa ta sfidoja veten në futbollin evropian. U bëra pjesë e Kaiserslauternit U19 në Gjermani, ku filloi një sfidë e re për mua”.
“Aty u përballa me një futboll më cilësor, me intensitet dhe konkurrencë shumë të lartë. Ishte një përvojë shumë e rëndësishme, që më ndihmoi të zhvillohem si futbollist dhe të kuptoj më mirë kërkesat e futbollit profesionist”, shprehet ai.
Prishtina e Re, kapitulli i ri në karrierë
Pas aventurës në Gjermani, mundësia për t’u kthyer në Kosovë erdhi përmes disa kontakteve që i mundësuan të provonte veten te Prishtina e Re.
Ai arriti ta bind klubin prishtinas, fal drejtorit sportiv Sami Borovci, i cili kishte besuar në talentin e tij, pastaj edhe të trajnerit Qëndrim Kida.
“Mundësia për të ardhur në Kosovë erdhi falë disa kontakteve që kisha. Përmes tyre arrita të siguroja prova te Prishtina e Re. Ishte një mundësi e mirë për mua që të vazhdoja karrierën dhe të provoja veten në futbollin e Kosovës”, tregon Haxhiu.
Ai thotë se përshtatja në klub ishte e lehtë falë pritjes së mirë nga drejtuesit, trajnerët dhe bashkëlojtarët. Për Haxhiun, ky është një hap i rëndësishëm, pasi te Prishtina e Re u bë për herë të parë pjesë e futbollit senior.
“Që nga dita e parë jam pritur shumë mirë nga të gjithë, duke filluar nga kryesia e klubit, stafi i trajnerëve e deri te bashkëlojtarët”
“Këtu për herë të parë u bëra pjesë e futbollit senior, duke luajtur dhe stërvitur me futbollistë profesionistë. Ky ambient më ka ndihmuar shumë të përshtatem, të fitoj përvojë dhe të zhvillohem si lojtar”, deklaron ai.
Goli i parë dhe synimi për inkuadrim në Superligë
Edhe pse te Prishtina e Re, ka një nivel të lartë, të gjithë lojtarë që kanë luajtur në Superligën e Kosovës dhe emra të dëshmuar, por Valtoni ka fituar minutat e tij dhe tashmë ka filluar të lërë shenjë.
Një nga momentet më të veçanta për Haxhiun te Prishtina e Re ishte shënimi i golit të parë të mërkurën në fitoren ndaj Lepencit. Ai e vlerëson këtë moment si shpërblim për punën e vazhdueshme dhe besimin që i ka dhënë trajneri Kida.
“Shënimi i golit të parë ishte një moment shumë i veçantë për mua. Pas një periudhe stërvitjesh dhe pune të vazhdueshme, trajneri Kida më besoi minutat dhe jam shumë i lumtur që arrita ta shpërblej besimin e tij me gol. Edhe golin ia dedikova trajnerit për besimin që ka treguar ndaj meje. Synimi im është të kontribuoj sa më shumë me gola dhe paraqitje të mira, ndërsa objektivi ynë kryesor si ekip është kualifikimi në Superligë”, thotë Haxhiu.
Ylli 20 vjeçar u fut në lojë në fillimin e pjesës së dytë dhe përveç golit, ai arriti ta godas edhe shtyllën.
Përvoja me Kosovën U19 dhe ëndrra për Kombëtaren
Haxhiu ka pasur mundësinë të jetë pjesë edhe e një kampi të Kombëtares së Kosovës U19, të organizuar në New York, gjatë kohës kur jetonte në Amerikë. Ai ishte ftuar nga ish-përzgjedhësi Adil Maliqi dhe gjatë grumbullimit zhvilloi edhe një ndeshje miqësore.
“Po, gjatë kohës që isha në Amerikë, pata mundësinë të merrja pjesë në një kamp të Kombëtares së Kosovës U19, të organizuar në New York. Isha i ftuar nga ish-përzgjedhësi Adil Maliqi, ku zhvilluam edhe një ndeshje miqësore. Ishte një përvojë shumë e mirë për mua dhe një motivim i madh për të vazhduar të punoj drejt synimeve të mia”, tregon futbollisti.
Edhe pse është lindur dhe rritur jashtë Kosovës, Haxhiu e ka të qartë një nga synimet më të mëdha të karrierës së tij: përfaqësimin e vendit të prejardhjes.
“Patjetër që është një nga ëndrrat e mia më të mëdha. Edhe pse jam lindur dhe rritur jashtë Kosovës, gjithmonë kam pasur dëshirë ta përfaqësoj vendin dhe popullin prej nga vij. Për mua do të ishte një krenari e jashtëzakonshme ta veshja fanellën e Kombëtares së Kosovës. Do të punoj fortë që fillimisht të ftohem nga Kosova U21. Për momentin jam i fokusuar të zhvillohem sa më shumë si futbollist, të kem paraqitje të mira me klubin dhe të punoj fort që në të ardhmen të arrij nivele sa më të larta në futboll, pastaj besoj që edhe ftesa do të vij”, nënvizoi sulmuesi i krahut.
Mësimet nga futbolli amerikan dhe gjerman
Përvoja në Amerikë dhe Gjermani i ka ndihmuar të zhvillojë aspekte të ndryshme të lojës. Nga futbolli amerikan ka përfituar në zhvillimin individual dhe përgatitjen fizike, ndërsa në Gjermani ka mësuar rëndësinë e disiplinës, taktikës dhe konkurrencës.
“Nga futbolli amerikan kam përfituar shumë në aspektin e zhvillimit individual dhe të përgatitjes fizike. Ndërsa në Gjermani kam mësuar rëndësinë e disiplinës, intensitetit, taktikës dhe konkurrencës. Besoj se këto përvoja më kanë ndihmuar të formohem si futbollist dhe mundohem t’i zbatoj çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje”, shprehet ai. /Telegrafi/
