Një shtetase zvicerane, 69-vjeçarja Claudia Abbt, dhe një shtetase austriake, 76-vjeçarja Eva Gretzmacher, janë liruar pas një periudhe të gjatë në robëri, pasi ishin rrëmbyer në Niger. Të dyja gratë kanë mbërritur në Bengazi, në Libinë lindore, të mërkurën në mbrëmje, sipas raportimeve të mediave libiane.
Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) konfirmoi të enjten pasdite lirimin e shtetases zvicerane. Ajo u prit në Bengazi nga stafi federal zviceran dhe mori kujdes mjekësor. Sipas autoriteteve zvicerane, ajo është mirë, duke marrë parasysh rrethanat, dhe aktualisht është duke u kthyer në Zvicër.
“Jam i lehtësuar që gruaja zvicerane e rrëmbyer është përsëri e lirë pas më shumë se një viti e gjysmë. Falënderoj të gjitha autoritetet e përfshira, si në vend ashtu edhe jashtë vendit, të cilat punuan intensivisht për lirimin e saj”, deklaroi Këshilltari Federal zviceran, Ignazio Cassis.
Gratë u rrëmbyen në të njëjtin qytet
Claudia Abbt dhe Eva Gretzmacher jetonin në Agadez, një qytet në veri të Nigerit, në skaj të Saharasë, raporton 20 minuten.
Gretzmacher ishte zhvendosur atje në vitin 1997 dhe për gati tri dekada kishte punuar me të rinjtë. Më 11 janar 2025, burra të armatosur hynë me forcë në shtëpinë e saj dhe e detyruan të hipte në një automjet tip SUV.
Rreth tre muaj më vonë, më 13 prill 2025, u rrëmbye edhe Abbt nga shtëpia e saj. Ajo është e martuar me një shtetas nigerian dhe ka themeluar organizatën Tellit, e cila mbështet artizanët.
Sipas raportimeve të mediave, të dyja gratë u mbajtën peng në rajonin kufitar mes Nigerit dhe Malit. Shteti Islamik në Saharën e Madhe (ISGS) mori përgjegjësinë për rrëmbimet dhe, në fund të prillit 2025, publikoi një fotografi të Gretzmacher, transmeton Telegrafi.
Lirimi u raportua nga televizioni libian
Televizioni libian Al-Masar raportoi se lirimi i dy grave u realizua pas ndërhyrjes së Saddam Khalifa Haftarit, zëvendëskomandantit të përgjithshëm të forcave në lindje të Libisë. Sipas këtij mediumi, ndërhyrja erdhi pas kërkesave të familjarëve të tyre.
Ndërkohë, televizioni libian Al-Mazar raportoi për mbërritjen e dy grave në Bengazi, ku ato u shfaqën edhe në një video.
Në pamjet e transmetuara, të dyja duken të rraskapitura dhe janë ulur nën një portret të Marshallit Khalifa Haftar, ndërsa falënderojnë në gjuhën frënge ata që i liruan.
“Emri im është Claudia Abbt. Jam zvicerane. Jam 69 vjeçe. U mora peng një vit e gjashtë muaj më parë. Tani jam e lumtur që jam e lirë”, deklaron Abbt në video.
Ndërsa Gretzmacher prezantohet si shtetase austriake, 76 vjeçe, dhe thotë se ishte mbajtur peng për një vit e nëntë muaj.
Lirimi i dy grave shënon përfundimin e një periudhe të gjatë në robëri. Megjithatë, detajet e plota të operacionit dhe rrethanat në të cilat u realizua lirimi nuk janë bërë të ditura në mënyrë të plotë./Telegrafi/
