Pentagoni ka ndërmarrë hapa për të blerë gjithsej 850 avionë luftarakë F-35 nga kompania Lockheed Martin gjatë 10 viteve të ardhshme, në atë që përbën angazhimin më afatgjatë mes përpjekjeve të fundit të administratës së Trumpit për t’i përgatitur furnizuesit për prodhim në kohë lufte.
Marrëveshja e re kornizë, e shpallur të enjten, përfshin 850 avionë F-35 Lightning II për ushtrinë amerikane, qindra të tjerë për klientë ndërkombëtarë si dhe pjesë këmbimi dhe pajisje të tjera.
Marrëveshja do të garantonte realizimin e planit të kompanisë së mbrojtjes për të prodhuar 156 avionë në vit gjatë viteve të ardhshme.
Departamenti i Mbrojtjes tha se Lockheed Martin ka rënë dakord të financojë me 7 miliardë dollarë investime nga burimet e veta për të mbështetur planin afatgjatë të prodhimit.
Marrëveshja e shpallur sot përbën një hap drejt kontratës përfundimtare, e cila për t’u finalizuar do të kërkonte fonde prej dhjetëra miliardë dollarësh nga Kongresi.
Programi i avionëve luftarakë të padiktueshëm nga radarët është cilësuar tashmë si programi më i kushtueshëm i armatimeve në botë, me kosto të parashikuara prej 2 trilionë dollarësh gjatë gjithë ciklit jetësor, për blerjen, operimin dhe mirëmbajtjen e avionëve.
Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se angazhimet e qarta për blerje shumëvjeçare ndihmojnë në rritjen e efikasitetit të prokurimit të armatimeve.
Furnizuesit e përfshirë në programet ushtarake shpesh ankohen se financimi i paqëndrueshëm nga Kongresi ua vështirëson planifikimin afatgjatë.
“Kjo marrëveshje kornizë shumëvjeçare forcon mënyrën se si mund të planifikojmë dhe të investojmë në programin F-35”, ka thënë Jim Taiclet, drejtor ekzekutiv i Lockheed Martin. /AA/
