Parlamenti Evropian i jep Gjykatës Ndërkombëtare Penale çmimin Saharov

Bota

Parlamenti Evropian i ka ndarë të enjten Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, në shenjë mbështetjeje për institucionin pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërcënojnë punën e tij. Çmimi ndahet çdo vit për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ndër fituesit […]

Madhësia e shkronjave

Parlamenti Evropian i ka ndarë të enjten Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, në shenjë mbështetjeje për institucionin pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërcënojnë punën e tij.

Çmimi ndahet çdo vit për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ndër fituesit e mëparshëm janë lideri i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, dhe figura e opozitës ruse, Alexei Navalny, transmeton Telegrafi.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi sanksione ndaj GJNP-së më 9 tetor, pas kritikave të përsëritura për fletarrestimin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe hetimet mbi veprimet e trupave amerikane në Afganistan.

“Ky është një mesazh shprese dhe rezistence për Donald Trumpin. Ne nuk do ta braktisim sundimin e ligjit dhe drejtësinë ndërkombëtare. Do të qëndrojmë përkrah GJNP-së për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi eurodeputetja franceze Chloé Ridel, e cila kishte propozuar kandidaturën e gjykatës.

Udhëheqësit e grupeve politike në Parlamentin Evropian e zgjodhën GJNP-në mes tri kandidaturave përfundimtare. Dy kandidatët e tjerë ishin avokati tanzanian Tundu Lissu, i cili përballet me përndjekje politike, si dhe motrat iraniane Taraneh dhe Romina Rahimi, të nominuara në emër të personave të përndjekur nga autoritetet iraniane.

Grupi i Socialdemokratëve (S&D) kishte propozuar gjykatën dhe zyrtarët e saj, ndërsa grupet e tjera politike e mbështetën përfundimisht kandidaturën. Vendimi i befasoi disa persona brenda Parlamentit, të cilët kishin pritur që çmimi t’i jepej Lissut.

Javën e kaluar, eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike i kërkuan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mbrojë gjykatën me seli në Holandë nga pasojat e sanksioneve amerikane.

Ata kërkuan përdorimin e “të gjitha instrumenteve në dispozicion”, veçanërisht të Statutit të Bllokimit të BE-së, i cili synon të mbrojë kompanitë dhe individët evropianë nga efektet e disa sanksioneve të vendosura nga vende të treta.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, i cilësoi më 9 tetor kërcënimet me sanksione ndaj GJNP-së si “të papranueshme” dhe rikonfirmoi angazhimin e bllokut ndaj së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, Bashkimi Evropian ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete në përgjigje të sanksioneve amerikane. /Telegrafi/

Komentet