Familja shqiptare që po rinovon urën në Këln, tri gjenerata punojnë krah për krah

Nacionale

Një familje shqiptare në Gjermani po tërheq vëmendjen e mediave gjermane, pasi tri gjenerata të saj janë angazhuar së bashku në rinovimin e urës Mülheimer Brücke në qytetin e Këlnit. Bëhet fjalë për familjen Kupa, ku gjyshi Nazmi, 79 vjeç, djali i tij Kabil, 50 vjeç, dhe nipi Zejadin, 21 vjeç, punojnë në të njëjtin […]

Madhësia e shkronjave

Një familje shqiptare në Gjermani po tërheq vëmendjen e mediave gjermane, pasi tri gjenerata të saj janë angazhuar së bashku në rinovimin e urës Mülheimer Brücke në qytetin e Këlnit.

Bëhet fjalë për familjen Kupa, ku gjyshi Nazmi, 79 vjeç, djali i tij Kabil, 50 vjeç, dhe nipi Zejadin, 21 vjeç, punojnë në të njëjtin projekt ndërtimi.

Sipas Tagesschau, Nazmi dhe Kabil punojnë si marangozë ndërtimi, ndërsa Zejadini është i specializuar në ndërtimin e strukturave prej betoni të armuar. Krahas punës, ai studion edhe këtë fushë.

Historia e familjes në Gjermani nisi në vitin 1968, kur Nazmi Kupa mbërriti nga Shqipëria me vizë pune, pa përvojë të specializuar profesionale. Me kalimin e viteve, ai fitoi përvojë në ndërtimtari, duke vlerësuar edhe ndihmën që mori nga kolegët gjermanë në fillimet e tij.

Sot, familja Kupa nuk ndan vetëm profesionin, por edhe jetën familjare. Të tre brezat jetojnë me familjet e tyre nën të njëjtën çati, ndërsa puna në kantier mbetet e ndarë nga marrëdhëniet familjare, transmeton Telegrafi.

Pavarësisht moshës, Nazmi nuk mendon të tërhiqet nga puna. Ai thotë se do të vazhdojë të punojë për aq kohë sa do t’ia mundësojnë këmbët.

Historia e familjes Kupa është prezantuar nga WDR dhe Tagesschau, duke sjellë në vëmendje një shembull të bashkëpunimit mes tri gjeneratave në një projekt të rëndësishëm infrastrukturore në Gjermani./Telegrafi/

Komentet