Khvicha Kvaratskhelia ka përcjellë një mesazh emocionues për tifozët e tij pas lëndimit të rëndë që pësoi në përballjen e Paris Saint-Germainit ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Ylli gjeorgjian premtoi se do ta përballojë rikuperimin, me gjithë dhimbjet dhe lotët që e shoqërojnë, për t’u rikthyer më i fortë se kurrë më parë.
Përmes një postimi në Instagram, Kvaratskhelia foli për tronditjen që përjetoi nga lëndimi, i cili do ta mbajë për një kohë të gjatë jashtë fushave. Ai zbuloi se para çdo ndeshjeje lutej që Zoti ta ndihmonte të largohej nga fusha pa pësuar ndonjë lëndim.
“Ende nuk ka kaluar shumë kohë, por një pyetje vazhdon të më sillet në mendje: pse pikërisht unë? Nuk kam kursyer asgjë për këtë lojë dhe, ndoshta, isha përgatitur për këtë ndeshje më mirë se për çdo tjetër në jetën time. Mendoja se isha gati për gjithçka, por për këtë nuk isha i përgatitur”, shkroi gjeorgjiani.
Ai tregoi se tashmë po përpiqet ta pranojë atë që ndodhi si një pjesë të fatit të përcaktuar nga Zoti.
“E kuptoj se Zoti më zgjodhi mua për këtë dhe, nëse në këtë mënyrë kam mbrojtur lojtarët e tjerë që ishin në fushë, atëherë jam gati t’i kaloj këta muaj mes punës, dhimbjes dhe lotëve”, shpjegoi ai.
Ylli i PSG-së theksoi se synimi i tij është të rikthehet edhe më i fortë, për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“E di se duhet të rikthehem më i fortë se më parë, për hir të tifozëve të mi që qëndrojnë gjithmonë pranë meje. Nuk do t’ju zhgënjej, jua premtoj këtë, dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, as edhe për një çast të vetëm”, u shpreh Kvaratskhelia.
Në fund, ai falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe la një mesazh shprese për rikthimin e tij.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Do të shihemi sërish së shpejti”, përfundoi ai./Telegrafi/
