Kombëtarja e Kosovës në futbollin e femrave ka shënuar përparim në renditjen më të fundit të FIFA-s, duke u ngjitur për dy pozita në ranglistën botërore.
FIFA ka publikuar të martën renditjen e re, në të cilën Kosova pozicionohet në vendin e 83-të.
‘Dardanet’ kishin qenë në pozitën e 81-të në prill, por në ranglistën e publikuar më 16 qershor kishin rënë në vendin e 85-të.
Përparimi vjen pavarësisht se Kosova pësoi dy humbje në ndeshjet e plejofit kualifikues për Kupën e Botës ndaj Austrisë.
Megjithatë, rezultatet e përfaqësueseve të tjera dhe koeficientët e tyre kanë ndikuar në ndryshimet e renditjes botërore.
Austria, ndonëse fitoi të dyja ndeshjet ndaj Kosovës, ka humbur dy pozita në ranglistë. Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 68-të, pasi ka rënë për një pozitë.
Në krye të renditjes botërore vazhdon të jetë Spanja, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania./Telegrafi/
