Ndeshja e Manchester Unitedit ndaj Comos rrezikon seriozisht të shtyhet për shkak të kushteve të rënda atmosferike.
Unitedi pritet të zhvillojë ndeshjen e tretë të sezonit në Ligën e Kampionëve në Lombardi, kundër skuadrës së drejtuar nga Cesc Fabregas.
Megjithatë, përballja në stadiumin “Giuseppe Sinigaglia”, me kapacitet prej 13.600 ulësesh, mund të mos zhvillohet për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Parashikimet flasin për 64 milimetra shi para ndeshjes, ndërsa moti i keq pritet të vazhdojë deri në përfundimin e saj.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Forcave Ajrore Italiane ka lëshuar një alarm portokalli për mot të rrezikshëm, duke paralajmëruar mundësinë e rrufeve dhe stuhive me bubullima.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video që tregon gjendjen në stadium, ku vetëm njëra nga katër tribunat është e mbuluar.
Nga ana tjetër, Como beson se fusha do t’i përballojë reshjet, ndërsa trajneri i Manchester Unitedit, Michael Carrick, deklaroi se skuadra e tij është “mësuar me shiun” dhe do të përpiqet të shfrytëzojë sa më mirë situatën.
Megjithatë, kushtet ekstreme atmosferike mund të rrezikojnë sigurinë e futbollistëve dhe tifozëve, ndaj shtyrja e ndeshjes mbetet një mundësi reale.
🚨💣 BREAKING: The game vs Como at RISK of being CALLED OFF due to a severe weather warning. @_shaunirvine @talksport https://t.co/4aYHIS8ECK
— The United HQ (@TheUTDHQ) October 21, 2026
Rregullorja e UEFA-s për sezonin 2026/27 përcakton qartë procedurat në rast të shtyrjes së një ndeshjeje. Sipas nenit 27, dita e ardhshme është mundësia e parë që duhet të shqyrtohet, por jo një detyrim absolut.
“Nëse, ditën e ndeshjes, vendoset se ajo nuk mund të fillojë sipas planit ose nuk mund të përfundojë e gjithë ndeshja ose minutat e mbetura, në parim do të zhvillohen ditën e ardhshme. Kjo nuk cenon masat e mundshme disiplinore”, thuhet në dokumentet e UEFA-s./Telegrafi/