Propozimi në Zvicër: Kompanitë të paguajnë taksë për punëtorët e huaj, paratë t’u kthehen qytetarëve

Bota

Biznesmeni miliarder, Alfred Gantner, propozon që kompanitë zvicerane të paguajnë një taksë për pesë vjet kur punësojnë punëtorë nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, të ardhurat nga kjo taksë duhet t’u kthehen qytetarëve, veçanërisht familjeve me të ardhura të ulëta. Bashkëthemeluesi i kompanisë financiare Partners Group dhe përfaqësuesi i organizatës Kompass Europa, Alfred Gantner, ka paraqitur […]

Madhësia e shkronjave

Biznesmeni miliarder, Alfred Gantner, propozon që kompanitë zvicerane të paguajnë një taksë për pesë vjet kur punësojnë punëtorë nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, të ardhurat nga kjo taksë duhet t’u kthehen qytetarëve, veçanërisht familjeve me të ardhura të ulëta.

Bashkëthemeluesi i kompanisë financiare Partners Group dhe përfaqësuesi i organizatës Kompass Europa, Alfred Gantner, ka paraqitur një propozim për ndryshimin e mënyrës se si Zvicra e menaxhon imigrimin për qëllime pune.

Sipas propozimit të tij, kompanitë që rekrutojnë punëtorë nga vendet e Bashkimit Evropian do të paguanin një taksë të lidhur me pagën e punonjësit, për një periudhë pesëvjeçare.

Norma do të ishte progresive, duke filluar nga një për qind për pagat më të ulëta dhe duke u rritur deri në 15 për qind për pagat vjetore mbi 300 mijë franga, sipas raportimit të medias zvicerane SRF, transmeton Telegrafi.

Gantner vlerëson se kjo masë mund të gjenerojë rreth 1.35 miliardë franga në vit. Ai propozon që paratë t’u shpërndahen familjeve në Zvicër, me përparësi për personat me të ardhura të ulëta.

Sipas përllogaritjeve të tij, një familje me katër anëtarë mund të përfitonte rreth 4 mijë franga në vit.

Sipas biznesmenit, taksa do t’i nxiste kompanitë që fillimisht të kërkonin punëtorë në tregun vendas, përpara se të rekrutonin nga jashtë.

Ai argumenton se kompanitë përfitojnë nga fuqia punëtore e huaj, ndërsa një pjesë e kostove të rritjes së popullsisë, përfshirë infrastrukturën, shkollat dhe shërbimet publike, mbulohet nga shoqëria në tërësi.

Propozimi ka hasur në kundërshtime nga përfaqësues të sindikatave dhe të punëdhënësve.

Sindikatat paralajmërojnë se një taksë e tillë mund të rrezikojë marrëdhëniet dypalëshe me Bashkimin Evropian, ndërsa përfaqësuesit e ekonomisë shprehin shqetësime se kostot shtesë mund ta bëjnë Zvicrën më pak konkurruese në tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar.

Propozimi i Gantnerit është një nismë për debat politik dhe nuk është miratuar si ligj. Ai dallon nga një propozim tjetër i diskutuar në Parlamentin zviceran, i cili parasheh një pagesë prej 4 mijë frangash për punëtorët e huaj në rast se aktivizohet mekanizmi mbrojtës ndaj imigrimit./Telegrafi/

Komentet