Alberta voton kundër shkëputjes nga Kanadaja – vjen reagimi i kryeministrit Carney

Bota

Banorët e Albertas votuan për të mbetur pjesë e Kanadasë në referendumin e parë ndonjëherë të provincës mbi shkëputjen. Dhe kjo po vlerësohet si një fitore tejet e nevojshme edhe për kryeministrin Mark Carney, i cili po përpiqet të bashkojë vendin në mes të një lufte tregtare me SHBA-në. CBC News, transmetuesi kombëtar kanadez i […]

Madhësia e shkronjave

Banorët e Albertas votuan për të mbetur pjesë e Kanadasë në referendumin e parë ndonjëherë të provincës mbi shkëputjen.

Dhe kjo po vlerësohet si një fitore tejet e nevojshme edhe për kryeministrin Mark Carney, i cili po përpiqet të bashkojë vendin në mes të një lufte tregtare me SHBA-në.

CBC News, transmetuesi kombëtar kanadez i financuar nga qeveria, e shpalli rezultatin të hënën vonë, pasi ishin numëruar 33% e votave.

Në momentin e këtij njoftimi, 76% e votave të numëruara ishin në mbështetje të qëndrimit në Kanada, ndërsa 23% ishin në favor të vazhdimit të procesit drejt një votimi të detyrueshëm për shkëputje. Referendumi në fjalë nuk ishte i detyrueshëm.

“Banorët e Albertas bënë një zgjedhje të qartë”, tha Kryeministri Mark Carney në një deklaratë. “Ata zgjodhën unitetin, të ndërtojnë së bashku dhe të kujdesen për njëri-tjetrin”.

“Kanadaja është më e madhe se shuma e pjesëve të saj”, tha ai.

Ekspertët e sondazheve dhe analistët e kishin përjashtuar vazhdimisht mundësinë e një fitoreje të separatistëve, duke iu referuar të dhënave sipas të cilave rreth një e treta e banorëve në këtë provincë perëndimore mbështesnin një referendum të ardhshëm për t’u larguar.

Kryeministrja e Albertas, Danielle Smith, e shpalli referendumin në muajin maj, duke thënë se ishte “koha për të votuar, për të kuptuar vullnetin e banorëve të Albertas për këtë çështje dhe për të ecur përpara”.

Të hënën vonë, Smith publikoi një deklaratë në rrjetet sociale, ku shprehej “shumë e kënaqur” që rezultatet e hershme tregojnë një mbështetje të gjerë për të qëndruar në Kanada.

Ajo njoftoi se të martën do t’u drejtohet banorëve të Albertas për të diskutuar rezultatet dhe për të shqyrtuar “se çfarë drejtimi do të marrë provinca jonë tani e tutje”.

Një grup i vogël, por vokal, separatistësh ka bërë fushatë prej muajsh për një Alberta të pavarur, duke argumentuar se pasuritë energjetike të provincës po subvencionojnë pjesët më të varfra të Kanadasë dhe se Alberta do të ishte shumë më e pasur nëse burokracia e Otavës nuk do t’i pengonte rrugën.

Javën e kaluar, gjatë një tubimi në Kalgari, Carney deklaroi se votimi për t’u larguar nga Kanadaja do të ishte “një blof i rrezikshëm që do të çonte në vite të tëra përçarjeje të thellë”, dhe u bëri thirrje banorëve të Albertas që të “votojnë sikur nga kjo të varet vetë Kanadaja”.

Carney, i cili u rrit kryesisht në Alberta, pranoi se banorët e Albertas shpesh janë ndjerë të shpërfillur nga Otava dhe tha se qeveria e tij kishte miratuar një projekt për një tubacion të ri, duke shtuar se Alberta është thelbësore për të ndihmuar Kanadanë të zvogëlojë varësinë e saj nga SHBA-ja.

Referendumi në Alberta pason dy referendume të mëparshme mbi shkëputjen në provincën e Kuebekut, ku shumica e popullsisë flet frëngjisht. Në të dyja rastet, banorët e Kuebekut votuan për të mbetur pjesë e Kanadasë. /Telegrafi/

Komentet