Në Kuvend është dorëzuar projektligji për ndryshime në shtyllën e dytë pensionale, i cili parasheh që kursimet pensionale të investohen sipas tri niveleve të rrezikut: të lartë, të mesëm dhe të ulët. Propozimi përfshin edhe ndarjen sipas moshës, me qëllim që investimet të përshtaten me periudhën që qytetarëve u mbetet deri në pensionim.
Në shtyllën e dytë pensionale një pjesë e kontributeve pensionale të punonjësve grumbullohet në llogari individuale dhe investohet nga shoqëritë e licencuara pensionale, me qëllim që të krijohen kursime për pensionin e ardhshëm. Me projektligjin e propozuar parashihet që investimet të ndahen në tri nivele të rrezikut: të lartë, të mesëm dhe të ulët.

Personat deri në moshën 45-vjeçare do të mund të zgjedhin mes investimeve me rrezik të lartë dhe atyre me rrezik të mesëm. Personat nga mosha 45 deri në 57 vjeç do të mund të zgjedhin mes të tri niveleve, ndërsa ata mbi 57 vjeç do të mund të zgjedhin investimet me rrezik të mesëm ose të ulët.
Deri në 45 vjeç: Rrezik i lartë ose i mesëm.
45–57 vjeç: Rrezik i lartë, i mesëm ose i ulët.
Mbi 57 vjeç: Rrezik i mesëm ose i ulët.
Investimet me rrezik të lartë mund të sjellin fitime më të mëdha, por edhe humbje më të mëdha. Investimet me rrezik të mesëm synojnë një ekuilibër mes mundësisë për fitim dhe rrezikut, ndërsa ato me rrezik të ulët synojnë më shumë stabilitet të kursimeve, por pa garantuar fitim. Menaxhimi i parave do të vazhdojë të bëhet nga shoqëritë e licencuara pensionale, ndërsa MAPAS-i do të mbikëqyrë zbatimin e rregullave. Sipas të dhënave të publikuara në tetor, në fondet e detyrueshme pensionale kishte mbi 643 mijë anëtarë, ndërsa vlera e mjeteve të grumbulluara arrinte rreth 218 miliardë denarë, ose afërsisht 3,5 miliardë euro.
Projektligji tani duhet të kalojë procedurën parlamentare. Nëse miratohet, sistemi i ri do të mundësojë që kursimet pensionale të investohen në mënyra të ndryshme, në varësi të moshës dhe rrezikut të pranuar. Megjithatë, kthimet më të larta nuk janë të garantuara dhe investimet me rrezik më të madh mund të sjellin edhe humbje./Alsat/





