Protestat që po mbahen prej disa ditësh në Shqipëri kanë sjellë reagime të shumta.
Në mesin e figurave publike që kanë reaguar është edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili ka ndarë një mesazh në mbështetje të studentëve.
Përmes një postimi në Instagram, Cana ka theksuar se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht nga shoqëria dhe institucionet, duke nënvizuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Foto: Instagram
“Kur studentët ngrihen në protestë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të përqendrohen plotësisht te ata deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo marrëveshjeje të qëndrueshme”, ka shkruar ai.
Në mesazhin e tij, Cana ka vënë theksin edhe te roli që studentët kanë në zhvillimin e vendit, duke e lidhur përmirësimin e kushteve të tyre me mirëqenien e shoqërisë në tërësi.
“Asnjë kolltuk nuk vlen sa jeta e një shqiptari” – artistët shqiptarë me mesazhe të forta për protestat
“Studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit dhe investimi te kushtet e tyre është investim direkt në mbarëvajtjen e shoqërisë”, ka shkruar ish-futbollisti.
Përmes këtij reagimi, Cana rikujton rëndësinë e dëgjimit të zërit të të rinjve në një periudhë kur protestat kanë vënë në qendër të vëmendjes kërkesat e tyre dhe përgjegjësinë e institucioneve për t’u dhënë përgjigje. /Telegrafi/






