Bashkimi Evropian po planifikon ndërtimin e një kablloje të sigurt nëndetëse që do ta lidhë Grenlandën me Evropën, me synimin që rrjeti të zgjerohet përmes Kanadasë deri në Japoni dhe Korenë e Jugut, sipas një draft-strategjie të BE-së për Arktikun, të siguruar nga Euronews.
Projekti synon të forcojë infrastrukturën digjitale dhe sigurinë evropiane në Arktik, ku po rriten tensionet gjeopolitike dhe shqetësimet për sabotimin e infrastrukturës nënujore.
Kabllot nëndetëse bartin pjesën dërrmuese të komunikimeve ndërkombëtare dhe janë thelbësore për internetin, transaksionet financiare dhe ekonominë globale.
Përmes rrugëve të reja, BE-ja synon të krijojë lidhje alternative për transmetimin e të dhënave dhe të zvogëlojë varësinë nga infrastruktura që mund të ndërpritet gjatë krizave.
Grenlanda, territor autonom i Danimarkës, ka rëndësi strategjike për shkak të pozitës mes Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Prania e zgjeruar ushtarake e Rusisë dhe interesi në rritje i SHBA-së për rajonin kanë shtuar shqetësimet e sigurisë.
BE-ja ka ndarë tashmë 107 milionë euro për projekte të lidhjes digjitale që përfshijnë Grenlandën.
Megjithatë, projekti i ri nuk ka ende buxhet përfundimtar, itinerar të përcaktuar apo afat konkret për ndërtimin.
Realizimi i tij do të varet nga financimi dhe bashkëpunimi me Kanadanë dhe partnerët aziatikë.
Strategjia parashikon gjithashtu krijimin e një qendre për monitorimin, mbrojtjen dhe riparimin e kabllove në Atlantikun e Veriut dhe Arktik.
Paralelisht, BE-ja synon të forcojë flotën e akullthyeseve dhe të bashkëpunojë me vendet nordike për zhvillimin dhe financimin e përbashkët të mjeteve detare të përshtatshme për kushtet ekstreme të Arktikut.
Planet pasqyrojnë synimin e Evropës për të forcuar pavarësinë digjitale dhe praninë strategjike në një rajon që po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në konkurrencën globale. /Telegrafi/






