Një deputete australiane është sulmuar jashtë zyrës së saj dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri australian, Anthony Albanese.
Deputetja e pavarur Helen Haines, 65 vjeçe, u godit nga një veturë tip Toyota Land Cruiser, ngjyrë e bardhë, pranë zyrës së saj në Wangaratta, në verilindje të Melburnit.
Ngjarja ndodhi teksa Haines po nxirrte disa sende nga bagazhi i një veture në një parking.
Për shkak të lëndimeve të rënda, ajo u transportua me helikopter drejt spitalit.
Policia e shtetit të Viktorias konfirmoi se në veturën e përfshirë në incident u gjet një thikë.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm.
Një 43-vjeçar nga Tarrawingee u ndalua fillimisht nga një kalimtar i rastit në vendngjarje, përpara se të arrestohej nga policia për t’u marrë në pyetje. Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse i dyshuari dhe deputetja njiheshin me njëri-tjetrin.
Kryeministri Anthony Albanese deklaroi se për rastin ka nisur një hetim i gjerë policor, ndërsa është aktivizuar edhe njësia e përbashkët kundër terrorizmit.
Megjithatë, ai theksoi se është ende herët për të përcaktuar motivin e sulmit.
Albanese e përshkroi Haines si një politikane të përkushtuar, me integritet dhe të respektuar në parlament, duke shprehur mbështetjen për të, familjen dhe komunitetin e saj.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se nuk ka kërcënim të mëtejshëm për sigurinë publike.
Familja e deputetes konfirmoi se ajo po merr trajtim mjekësor dhe falënderoi kalimtarët që ndihmuan menjëherë pas incidentit, si dhe ekipet shëndetësore dhe policinë për reagimin e tyre. /Telegrafi/






