Këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani, ka reaguar përmes disa postimeve në rrjetet sociale lidhur me protestat e studentëve në Tiranë dhe përplasjet e raportuara gjatë tyre, duke dënuar dhunën ndaj të rinjve dhe shprehur mbështetjen për kauzën e tyre.
Përmes mesazheve të publikuara në Instagram, artisti ka shprehur shqetësimin për pamjet nga kryeqyteti shqiptar, duke e cilësuar të papranueshme dhunën ndaj protestuesve.
“Është tmerr me i pa pamjet prej Tiranës. Të rinjë që sulmohen prej atyre që duhet me i mbrojt”, ka shkruar Ylli, duke e përmbledhur qëndrimin e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Unë jom me studentët. Shkurt edhe shqip”.
Foto: Yll Limani/InstaStory

Këngëtari më pas është ndalur te rëndësia e dëgjimit të kërkesave të studentëve, duke theksuar se pakënaqësitë e tyre duhet të trajtohen me seriozitet nga institucionet.
“Na duhet me i ngu studentët, se qartazi ka pakënaqësi. Qartazi. Me kuptu pse kanë dal, çka po i mundon e çka po kërkojnë”, ka shkruar ai.
Foto: Yll Limani/InstaStory
Sipas Yllit, të rinjtë nuk duhet të konsiderohen vetëm si e ardhmja e vendit, por duhet të kenë mundësi të shprehen dhe të ndikojnë në vendimet që prekin jetën e tyre që sot.
“Ata janë e ardhmja e këtij vendi, por zani i tyne duhet me pas peshë qysh sot. Nuk mjafton me ju thanë ‘ju jeni e ardhmja’, nëse kur flasin, s’ka kush i dëgjon”, ka theksuar këngëtari.
Foto: Yll Limani/InstaStory
Ai ka kërkuar që studentët të merren seriozisht dhe të krijohen kushte që ata të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin ku jetojnë, pa humbur besimin se kjo është e mundur.
Në fund të reagimit, Yll Limani u është drejtuar edhe pjesëtarëve të Policisë, duke rikujtuar përgjegjësinë që, sipas tij, bart uniforma dhe rëndësinë e mbrojtjes së qytetarëve.
Foto: Yll Limani/InstaStory
“Uniforma osht përgjegjësi. Qytetari duhet me u ni ma i sigurt kur e sheh policinë”, ka shkruar ai.
Këngëtari ka shtuar se pas çdo protestuesi qëndron një njeri me ëndrra, shqetësime dhe familje që e presin të kthehet në shtëpi, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe kujdes gjatë menaxhimit të protestave. /Telegrafi/





