Policia e Kosovës ka njoftuar se tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë janë suspenduar, pasi dyshohet se janë përfshirë në një rast penal të ngacmimit dhe kontrollit të kundërligjshëm.
Sipas njoftimit të Policisë, informacionet për rastin, i cili dyshohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026, janë trajtuar fillimisht nga vetë institucioni, i cili më pas ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Policia ka bërë të ditur se ka bashkëpunuar me zyrtarët kompetentë të IPK-së për sigurimin dhe dokumentimin e provave relevante, të cilat më pas janë dorëzuar për trajtimin e mëtejmë të rastit.

Po ashtu, pala ankuese është udhëzuar që të paraqitet në IPK për të dhënë deklaratë para zyrtarëve të njësisë së hetimeve të këtij institucioni.
Sveçla për suspendimin e tre policëve: Nuk do të lejojmë që të njolloset Policia e Kosovës
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, rekomandim të cilin e ka zbatuar menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Në të njëjtin njoftim, Policia ka bërë të ditur se ka bashkëpunuar ngushtë me IPK-në edhe në rastin e suspendimit të dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për transparencë dhe llogaridhënie, duke theksuar se çdo informacion për sjellje të mundshme joprofesionale të zyrtarëve policorë do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.





