Komisioni Qendror Zgjedhor i Spanjës (JEC) ka nisur procedurë disiplinore ndaj kryeministrit Pedro Sanchez, ka konfirmuar shërbimi për media i parlamentit.
Procedura lidhet me një konferencë për media të mbajtur nga kryeministri më 6 tetor, pas mbledhjes së qeverisë, gjatë së cilës ai prezantoi një ligj të ri për banimin.
Komisioni ka kërkuar që deklaratat e kontestuara të hiqen nga kanalet zyrtare të qeverisë dhe e ka udhëzuar kryeministrin të përmbahet nga paraqitje të ngjashme gjatë fushatës zgjedhore.
Procedura u iniciua pas ankesës së Partisë Popullore (PP), në opozitë, e cila pretendon se Sanchez i ka shfrytëzuar hapësirat dhe burimet zyrtare të qeverisë për të përcjellë mesazhe elektorale.
Vendimi vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat Sánchez i caktoi për 29 nëntor, pasi propozimet e tij për ligjet e banimit nuk morën mbështetjen e nevojshme në parlament.
Procedurat e komisionit zgjedhor shpesh nxisin debate për neutralitetin e institucioneve shtetërore gjatë fushatave. Kundërshtimet zakonisht lidhen me përdorimin e funksioneve zyrtare, burimeve publike apo ngjarjeve institucionale për promovim politik pasi zgjedhjet janë shpallur.
Komisioni Qendror Zgjedhor e kishte gjobitur Sánchezin edhe në janar të vitit 2020. Atëherë, ai u detyrua të paguante 500 euro për një intervistë televizive që ishte publikuar në faqen zyrtare të qeverisë.
Në tetor të vitit 2023, atij iu shqiptua edhe një gjobë prej 2.200 eurosh. Sanksioni lidhej me një konferencë për media në Bruksel, gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 korrikut, pasi komisioni vlerësoi se Sanchez kishte promovuar në mënyrë të papërshtatshme arritjet e qeverisë së tij dhe kishte kritikuar kundërshtarët politikë.
Një gjobë e ngjashme prej 2.200 eurosh iu shqiptua në vitin 2023 edhe Carlos Fernandez Carriedos, zëdhënës i qeverisë rajonale nga radhët e Partisë Popullore, për deklaratat e bëra në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë. /Telegrafi/






