Princi Harry ka folur hapur për një periudhë të vështirë të jetës së tij, duke treguar se pas largimit nga Britania dhe zhvendosjes në Kanada me Meghan Markle dhe djalin e tyre Archie, përjetoi një rënie të fortë emocionale.
Gjatë një ligjërate për platformën MasterClass, Harry tregoi se vetëm pak ditë pas mbërritjes në Kanada, pas vitesh të kaluara nën stres të vazhdueshëm, përjetoi atë që e përshkroi si një ‘rënie të adrenalinës’.
Ai tha se për rreth dy javë ra në depresion dhe e kishte të vështirë të kryente edhe detyrat më të zakonshme të përditshme.
Harry foli gjithashtu për humbjen e nënës së tij, princeshë Diana, e cila humbi jetën në një aksident automobilistik në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 12 vjeç.

Ai pranoi se për shumë vite i kishte shtypur emocionet dhe ishte mësuar t’u përgjigjej të tjerëve se ishte mirë, edhe pse në të vërtetë ndihej emocionalisht i mpirë.
Sipas tij, pikërisht nevoja për të qëndruar vazhdimisht aktiv e shtyu të bashkohej me ushtrinë.
Harry tha se angazhimi ushtarak i ndihmoi të mos mendonte për dhimbjen dhe kujtimet e së kaluarës.
Megjithatë, pas kthimit nga Afganistani në vitin 2013, ai nisi të përballej me trauma të vjetra, e më vonë përjetoi edhe sulme paniku dhe simptoma fizike të stresit.
Gjatë bisedës me neuroshkencëtaren Mary-Frances O’Connor, Harry foli edhe për mënyrën se si trupi reagon ndaj stresit të zgjatur.
Ai tha se e njihte mirë ndjesinë e ‘mjegullës në kokë’ dhe lodhjen që mund të shkaktojë një gjendje e tillë.
Një tjetër rrëfim prekës ishte ai për Dianën.
Harry tha se për vite me radhë kishte besuar se nëna e tij mund të ishte ende gjallë dhe se një ditë do të kthehej.
Princesha Diana
Me kalimin e viteve, Harry tha se e kuptoi se nëna e tij do të dëshironte që ai të ishte i lumtur.
Sot, përpiqet të vazhdojë punën humanitare që e lidhi edhe me Dianën, duke thënë se shpreson që të ishte krenare për atë që bën.
“Një pjesë e nënës sime është gjithmonë me mua”, tha ai. /Telegrafi/





