Polonia në gatishmëri pas dyshimeve për një komplot ndaj kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes

Bota

Autoritetet polake kanë ndërmarrë masa urgjente sigurie pas marrjes së informacioneve për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit njëherësh ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz. Sipas agjencisë Reuters, më 11 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të Polonisë, Karolina Gałecka, konfirmoi se policia kishte marrë informacione për një kërcënim të mundshëm ndaj […]

Madhësia e shkronjave

Autoritetet polake kanë ndërmarrë masa urgjente sigurie pas marrjes së informacioneve për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit njëherësh ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.

Sipas agjencisë Reuters, më 11 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të Polonisë, Karolina Gałecka, konfirmoi se policia kishte marrë informacione për një kërcënim të mundshëm ndaj dy zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Pas këtij informacioni, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, dhe koordinatori i Shërbimeve Speciale, Tomasz Siemoniak, urdhëruan ndërmarrjen e menjëhershme të masave, transmeton Telegrafi.

Për orën 11:00 sipas kohës lokale ishte caktuar një takim urgjent i agjencive polake të sigurisë në Qendrën Kundër Terrorizmit të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme (ABW).

Në takim morën pjesë përfaqësues të policisë kombëtare, Shërbimit Shtetëror të Mbrojtjes (SOP) dhe ABW-së, me qëllim vlerësimin e kërcënimit të raportuar dhe koordinimin e reagimit institucional.

Jacek Dobrzyński, zëdhënës i koordinatorit të Shërbimeve Speciale, konfirmoi gjithashtu masat emergjente. Duke folur për Agjencinë Polake të Shtypit, ai nuk pranoi të jepte hollësi të tjera rreth kërcënimit të mundshëm apo takimit të sigurisë.

Zhvillimet vijnë pas arrestimit të tetë personave të dyshuar për përgatitjen e akteve të sabotimit në Poloni. Sipas autoriteteve, të dyshuarit dyshohet se kishin kryer vëzhgime të objekteve ushtarake dhe infrastrukturës kritike të vendit.

Këto raste kanë shtuar shqetësimet e zyrtarëve polakë për kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike hollësi të tjera që do të konfirmonin natyrën dhe shkallën e komplotit të raportuar ndaj kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.