Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i ka cilësuar sulmet e Huthëve ndaj Riadit si një “përshkallëzim të rrezikshëm”, pasi nga sulmet janë vrarë 12 persona dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.
Duke folur në emisionin Sunday Morning With Ruth Davidson, Streeting tha se sulmet përbëjnë një model gjithnjë e më shqetësues të veprimeve të Huthëve, duke kujtuar se grupi më parë kishte shënjestruar edhe zona civile në Arabinë Saudite.
“Ky është një veprim krejtësisht i neveritshëm”, deklaroi ai, transmeton Telegrafi.
Streeting theksoi se kjo është një nga arsyet pse Mbretëria e Bashkuar po i ofron mbështetje Arabisë Saudite, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe furnizimin me karburant të avionëve gjatë fluturimit.
Liga Arabe dënon sulmin e Houthëve ndaj aeroportit të Riadit: Kërcënim i drejtpërdrejtë për rajonin
“Ne duam t’i japim fund këtij konflikti. Nuk mund të jetë e pranueshme që Huthët të sulmojnë në këtë mënyrë objektiva civile”, tha ai.
Muajin e kaluar, qeveria britanike njoftoi se Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) do të shtonin mbështetjen për Arabinë Saudite në përballjen me Huthët.
Qeveria konfirmoi se në rajon është dërguar një avion RAF Voyager, i cili shërben për furnizimin e avionëve të tjerë me karburant gjatë fluturimit. Ky mjet pritet t’i ndihmojë avionët sauditë në kryerjen e operacioneve mbrojtëse. /Telegrafi/






