Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se në bisedimet ndërmjet kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti është diskutuar edhe votimi i Ligjit për Specialen.
Sipas Deliu-Kodrës, Kurti e ka kushtëzuar mbështetjen për ligjin në lexim të dytë me votën për presidentin e vendit.

“Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, ka shkruar Deliu-Kodra, duke e cilësuar këtë si një kushtëzim politik lidhur me një çështje që, sipas saj, lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka ngritur pyetjen se përse vota për Ligjin për Specialen duhet të lidhet me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Po thoni se UÇK-ja është e të gjithëve. Atëherë pse vota juaj për ligjin varet prej asaj çka merrni për vete?”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka kërkuar që ligji të votohet pa kushte politike.
“Votojeni ligjin pa ia vu çmimin!”, ka përfunduar ajo./Telegrafi.





