Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta rikthejnë menjëherë në sallë Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe ta procedojnë për lexim të dytë.
Tahiri ka thënë se nuk sheh arsye që ky proces të zvarritet, pasi sipas tij, projektligji ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve në lexim të parë.

Tahiri paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të situatës, duke kërkuar që ligji të sillet pa vonesë për votim në lexim të dytë.
“Pyetja është, çka po presim, çka është duke prit shumica, LVV, çka është duke prit. Pse nuk e sjell ligjin? Çfarë duhet të ndodhë më shumë, se shihni, çka është duke ndodhur rreth e rreth Kuvendit Republikës së Kosovës, kaloj ligjin në lexim të parë me miratim dhe mbështetje të Lëvizjes Vendosje, të Partisë Demokratike si sponsorues, të Aleancës, të pakicave, çka po presim?”
“A janë duke pritur me ndodhë ndonjë incident më i madh? Çka? Aleanca e fton urgjentisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të kthehen në sallë të sjellin ligjin lexim të dytë. Rregullorja e punës, parasheh edhe neni 85, edhe neni 123, parasheh që me u kry në lexim të dytë zotimet publike-politike janë dhënë, atëherë çka presim? A po presin dhunë? A po presin për shkallëzim? Apo çka? Shkurt edhe shqip, ligji duhet të vjen menjëherë. Aleanca kërkon menjëherë me e sjellë. Nuk ka asnjë arsyetim pse mos me ardhur ligji”, deklaroi Tahiri.
Tahiri ka sqaruar gjithashtu se ngërçi aktual, sipas tij, nuk lidhet me ndonjë marrëveshje politike me Aleancën, por me çështjen e leximit të dytë dhe presidentit.
“Ngërçi, nuk është në një marrëveshje politike për diçka që ndërlidhet me Aleancën. Ngërçi është rreth leximit dhe presidentit. Ne jemi deklaruar. Jemi deklaruar shumë herët. Pra, nuk jemi ftuar në takim. Nuk kemi qenë në takim. Ne jemi duke përcjellë me shqetësim situatën e cila është në Kuvend të Kosovës dhe jashtë Kuvendit”, ka thënë ai.





