Gjurmë të reja në Turqi? Studiuesit thonë se formacioni në formë anijeje mund të fshehë Arkën e Noas

Bota

Një ekip studiuesish që po heton një formacion gjeologjik në formë anijeje në lindje të Turqisë thotë se ka gjetur të dhëna të reja që, sipas tyre, mund të mbështesin teorinë se vendi mund të lidhet me Arkën e Noes. Në qendër të kërkimeve është formacioni Durupınar, një strukturë gjeologjike rreth 164 metra e gjatë, […]

Madhësia e shkronjave

Një ekip studiuesish që po heton një formacion gjeologjik në formë anijeje në lindje të Turqisë thotë se ka gjetur të dhëna të reja që, sipas tyre, mund të mbështesin teorinë se vendi mund të lidhet me Arkën e Noes.

Në qendër të kërkimeve është formacioni Durupınar, një strukturë gjeologjike rreth 164 metra e gjatë, e vendosur pranë malit Ararat. Forma e pazakontë dhe afërsia me rajonin e përmendur në tregimin biblik kanë tërhequr prej dekadash studiues dhe kërkues të Arkës.

Formacioni u zbulua në vitin 1959 dhe që atëherë ka qenë objekt i debateve të shumta. Përkrahësit e teorisë besojnë se forma dhe përbërja e tij mund të lidhen me një strukturë të lashtë të krijuar nga njeriu, ndërsa kritikët argumentojnë se bëhet fjalë për një formacion tërësisht natyror.

Andrew Jones, themelues i organizatës Noah’s Ark Scans, thotë se kërkimet e fundit i kanë dhënë ekipit arsye të reja për ta vënë në pikëpyetje shpjegimin se nëntoka përbëhet vetëm nga shkëmbinj natyrorë, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi shpuar në më shumë se 12 pika dhe nuk kemi gjetur fare shkëmbinj bazë”, deklaroi Jones, duke argumentuar se rezultatet ndryshojnë nga ato që prisnin kritikët e teorisë.

Sipas tij, shpimet kanë nxjerrë në sipërfaqe shtresa të trasha dhe të pasura me tokë të zezë, të cilat tani do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar përmbajtjen organike.

Studiuesit shpresojnë të zbulojnë nëse në materialin e marrë nga nëntoka ka gjurmë të aktivitetit njerëzor ose përbërës që mund të lidhen me materiale organike të degraduara, përfshirë mbetje të mundshme druri.

“Nëse druri është dekompozuar, pritet të ketë përmbajtje më të lartë të lëndës organike”, tha Jones.

Ekipi planifikon të kryejë analiza të mëtejshme të mostrave gjatë dimrit, në bashkëpunim me universitete turke, për të përcaktuar më saktë përbërjen e tokës.

Jones i është referuar gjithashtu një studimi të tokës të kryer në vitin 2024, i cili, sipas tij, kishte gjetur rreth tre herë më shumë lëndë organike brenda formacionit sesa në mostrat e marra jashtë tij.

Megjithatë, këto rezultate nuk përbëjnë ende dëshmi se formacioni është Arka e Noes. Shkenca nuk ka konfirmuar deri më tani ekzistencën e Arkës së përshkruar në tregimin biblik dhe formacioni Durupınar vazhdon të konsiderohet nga shumë gjeologë si një strukturë natyrore.

Studiuesit shpresojnë që analizat e reja të tokës dhe rezultatet e shpimeve të ofrojnë të dhëna më të qarta për origjinën e formacionit.

“Arkeologjia merret me probabilitete dhe ne po afrohemi drejt pikës ku besojmë se mund të kemi një konfirmim këtë dimër”, tha Jones.

Nëse analizat zbulojnë përqendrime të pazakonta të materialeve organike apo gjurmë të aktivitetit njerëzor, ato mund të rikthejnë edhe një herë debatin rreth një prej mistereve më të famshme të lidhura me tregimet fetare. /Telegrafi/