Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) i ka kërkuar kryetares së Kuvendit dhe deputetëve që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që ndalon rihapjen e çështjeve dhe procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore, të cilat më herët janë shqyrtuar dhe janë gjykuar përfundimisht nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente.
Në një letër drejtuar Kuvendit, OVL-UÇK ka argumentuar se një dispozitë e tillë do të shërbente si garanci për sigurinë juridike dhe respektimin e parimit “ne bis in idem”, sipas të cilit një person nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte dhe rrethana, për të cilat tashmë ekziston një vendim përfundimtar i një organi kompetent të drejtësisë.

Sipas organizatës, ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk duhet të mundësojë që të njëjtat fakte të trajtohen përsëri, nëse ato tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar.
OVL-UÇK e konsideron këtë çështje veçanërisht të rëndësishme në raport me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në letrën e saj, organizata thotë se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë shpallur fajtorë në shkallën e parë për raste që, sipas saj, janë trajtuar më herët në procese të ndryshme gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare.
“Ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk mund të përdoret si bazë për të ricikluar të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar”, thuhet në kërkesën e OVL-UÇK-së.
Organizata u ka bërë thirrje deputetëve që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të ndryshimeve ligjore, duke kërkuar që propozimi të trajtohet me “seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme”. Sipas saj, kjo do të kontribuonte në garantimin e sigurisë juridike, barazisë para ligjit dhe të drejtës për një proces të drejtë.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës më 2 tetor ka njoftuar se e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Projektligji, i cili ishte dërguar në Qeveri nga Partia Demokratike e Kosovës, ndër të tjera parasheh kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe vendosjen e monitorimit ndërkombëtar të punës së tyre.
Në propozimin e ri parashihet gjithashtu që rastet e krimeve të luftës, për të cilat në shkallën e parë janë dënuar katër ish-krerët e UÇK-së, të gjykohen në Kosovë. Kërkesa e OVL-UÇK-së për përfshirjen e amendamentit pritet të shqyrtohet në kuadër të debatit parlamentar për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. /Telegrafi/





