Mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi, ka folur në konferencën për media para ndeshjes ndaj Izraelit, duke e vlerësuar kundërshtarin si një ekip të fortë dhe teknikisht të mirë.
Krasniqi theksoi se Izraeli është skuadër që di të luajë mirë në hapësira të ngushta, ndërsa shtoi se Dardanët i kanë analizuar pikat e forta të kundërshtarit dhe synojnë të jenë të përgatitur maksimalisht për sfidën e së enjtes.
“Fillimisht, nesër është ndeshje e vështirë, pasi Izraeli ka ekip të fortë dhe luan mirë teknikisht. Dinë të luajnë në hapësira të ngushta. I kemi parë pikat e forta dhe shpresojmë të qasemi mirë në fushë”, ka thënë Krasniqi.
Mbrojtësi kosovar u ndal edhe te nevoja për përmirësim të vazhdueshëm, duke theksuar se skuadra duhet të marrë mësime nga ndeshjet e kaluara. Sipas tij, përballja me Austrinë ka treguar disa aspekte ku Kosova duhet të jetë më e fortë si ekip.
“Kemi nevojë gjithmonë për përmirësime dhe mësojmë nga loja e kaluar. Nga Austria kemi mësuar të jemi më kompakt dhe të luftojmë për njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Krasniqi kërkoi që kjo qasje të shihet edhe në fushë ndaj Izraelit, duke theksuar rëndësinë e paraqitjes së ekipit si një tërësi. “Pra, nesër në fushë të paraqitemi si është më së miri”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.
Kosova do të përballet me Izraelin të enjten, nga ora 20:45, në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve. Dardanët synojnë rikthimin te fitorja pas humbjes 3-1 ndaj Austrisë. /Telegrafi/






