Një grua pritet të ekzekutohet në Tennessee për herë të parë në më shumë se 200 vjet.
Christa Pike u bë një nga gratë më të reja të dënuara me vdekje në SHBA kur, në moshën 18-vjeçare, ajo dhe i dashuri i saj i asaj kohe torturuan dhe vranë një shoqe klase në vitin 1995.
Pike, tani 50 vjeçe, pritet të ekzekutohet të mërkurën në orën 10:00 me orën lokale, sipas raportimeve; ky do të jetë ekzekutimi i parë i një gruaje në këtë shtet jugor që nga viti 1820, siç bëhet e ditur nga Qendra e Informacionit për Dënimin me Vdekje (Death Penalty Information Center).
Pike dhe i dashuri i saj i asaj kohe, Tadaryl Shipp – i cili ishte 17 vjeç në atë kohë – u shpallën fajtorë për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer, shoqes së tyre të klasës në qendrën “Knoxville Job Corps”.
Shipp u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht.
Rasti tërhoqi vëmendje të gjerë për shkak të brutalitetit të vrasjes, moshës së personave të përfshirë dhe faktit se viktima u gjet me një simbol satanik të gdhendur në trup.
Prokurorët deklaruan se Pike dyshonte se Slemmer ishte një rivale në dashuri dhe e çoi atë me mashtrim në një zonë të izoluar, ku ajo dhe i dashuri i saj torturuan dhe vranë adoleshenten.
Pike nuk e mohon fajësinë e saj, por avokatët dhe mbështetësit e saj argumentojnë se dënimi me vdekje nuk është ndëshkimi i duhur për një krim të kryer në atë moshë nga dikush që, sipas tyre, vuante nga një sëmundje mendore e patrajtuar pas një fëmijërie të mbushur me abuzime.
Guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, deklaroi të hënën se nuk do të jepte falje.
Para se të merrte vesh se guvernatori nuk do të ndërhynte në çështjen e saj, Pike shkroi në një letër të ndarë me NBC News, rrjetin partner të Sky-t: “Pavarësisht nëse më jepet falja apo jo, unë jam në paqe.
“Nuk kam frikë të vdes… thjesht ndihem në ankth për vetë procesin”.
Avokatët e Pike i kërkuan Gjykatës Supreme të ndalonte ekzekutimin, por kërkesa raportohet se u refuzua dhe tani ekzekutimi pritet të kryhet të mërkurën.
Stephen Ferrell, avokati ndihmës federal që përfaqëson Pike-un, deklaroi se ajo ishte abuzuar seksualisht që në fëmijërinë e hershme dhe se ishte përdhunuar në moshën 11 dhe 17-vjeçare.
Ferrell tha se, gjatë fazës së përcaktimit të dënimit në gjyq, avokatët e Pike nuk i paraqitën jurisë informacione thelbësore rreth së kaluarës së saj dhe as nuk argumentuan se mosha e saj duhej marrë parasysh.
Ai shtoi se sot dihet më shumë rreth zhvillimit të trurit tek adoleshentët dhe se dënimi me vdekje i Pike-ut përbën një rast të rrallë e të pazakontë.
Ai vuri në dukje gjithashtu se Shipp, të cilit iu refuzua lirimi me kusht vitin e kaluar, ishte dënuar me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht për shkak të moshës së tij. /Telegrafi/






